Darka tradicionale e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, e njohur për sulmet e saj argëtuese, por të ashpra ndaj presidentit dhe anëtarëve të administratës, mori një ton më solemn këtë vit pasi Presidenti Joseph Biden njohu disa gazetarë amerikanë të cilëve u është hequr liria në “vendet autoritare në mbarë botën”, raportuan sot mediat amerikane.
“Ne jemi këtu për të dërguar një mesazh për njerëzit e vendit tonë, por sinqerisht për të gjithë botën: një shtyp i lirë është një shtyllë e një shoqërie të lirë, jo një armik”, tha Biden në fjalimin e tij, raporton AP.
Pas mbërritjes në hotelin Washington Hilton, ku u organizua një darkë gala, Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden u takua privatisht me prindërit e reporterit të Wall Street Journal (WSJ), Evan Gershkovich, i cili ndodhet në burg në Rusi që nga marsi./FolDrejt/