Presidenti aktual i ShBA-së Joe Biden ka njoftuar se do të kërkojë rizgjedhjen për president në vitin 2024, me zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Tani 80-vjeçar dhe tashmë presidenti më i vjetër në historinë e ShBA-së, Biden kishte sinjalizuar prej kohësh se do të kandidonte për një mandat tjetër katërvjeçar, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Në një video ku bëri të ditura përpjekjet e tij për të mbajtur Shtëpinë e Bardhë, ai cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një luftë për demokracinë dhe lirinë personale, duke thënë: “Ta përfundojmë punën”.
Ish-presidenti Donald Trump ka nisur tashmë fushatën e tij, që do të thotë se dyshja mund të përballet për një rimeç zgjedhor në nëntor të vitit të ardhshëm./FolDrejt/