Të ardhurat dhe fitimi neto i prodhuesit amerikan të automjeteve elektrike “Tesla”, arritën nivel rekord në tremujorin e fundit të vitit të kaluar me 24.3 miliardë dollarë, gjegjësisht 3.7 miliardë dollarë.
“Tesla” bëri të ditur bilancin për periudhën tetor-dhjetor të vitit 2022, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas kësaj, të ardhurat e kompanisë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak janë rritur me 37 për qind duke arritur në 24.3 miliardë dollarë. Kompania në çerekun e katërt të vitit 2021 realizoi 17.7 miliardë të ardhura.
Të ardhurat e “Tesla”-s që arritën në nivel rekord gjatë kësaj periudhe, tejkaluan edhe pritjet e tregut që ishin në nivelin 24.2 miliardë dollarë. Të ardhurat e kompanisë edhe gjatë gjithë 2022-shin shënuan rritje prej 51 për qind duke arritur në 81.5 miliardë dollarë.
Fitimi neto i kompanisë në çerekun e katërt të vitit të kaluar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shënoi rritje prej 59 për qind duke arritur në 3.7 miliardë dollarë. Fitimi neto i “Tesla”-s në tremujorin e fundit të 2021 ishte 2.3 miliardë dollarë.
Në bazë vjetore, fitimi neto i kompanisë vitin e kaluar shënoi rritje dyfish duke arritur në 12.6 miliardë dollarë. Fitimet për aksion të kompanisë në çerekun e katër të 2021 ishte 0.68 dollarë ndërsa të njëjtën periudhë vitin e kaluar u rrit në 1.07 dollarë.
Rritje prej 40 për qind në numrin e automjeteve të dorëzuar vitin e kaluar
“Tesla” në vitin 2022 në shkallë globale dorëzoi 1.313.851 automjete. Gjithashtu edhe prodhimi i automjeteve në bazë vjetore në vitin 2022 u rrit me 47 për qind ndërsa me 40 për qind u rrit numri i automjeteve të dorëzuara.
“Jemi të gatshëm për pasiguri afatshkurtër”
Në njoftimin nga “Tesla” thuhet se çereku i fundit të vitit 2021 dhe vitit 2022 në përgjithësi kanë qenë periudha të rekordeve të reja.
Kompania tha se në tremujorin e fundit janë shënuar të ardhurat dhe fitimi neto më i lartë në histori. “Përderisa hyjmë në vitin 2023, jemi të vetëdijshëm se ka pikëpyetje lidhur me ndikimin afatshkurtër të një mjedisi të pasigurt makroekonomik dhe veçanërisht rritjen e normave të interesit”, thuhet nga kompania.
Më tutje, theksohet se ekipi i “Tesla”-s është mësuar me sfida, në të ardhmen e afërt po përgatitet udhërrëfyesi i kompanisë për uljen e kostove si dhe përparon në drejtim të shkallës më të lartë të prodhimit.
“Në secilin skenar, ne jemi të përgatitur për pasiguri afatshkurtër duke u fokusuar në potencialin afatgjatë të zgjidhjeve të autonomisë, elektrifikimit dhe energjisë”, thuhet në njoftim./FolDrejt/