Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me takimin e mbrëmshëm që pati me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Siç bëri me dije kryeministri Kurti, vetëm marrëveshja e Asociacionit, prej 33 marrëveshjeve të Brukselit, nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
“Por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, pasi është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është e theksuar në kuptimin juridik, e kushtetues”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Ajo çka ne theksojmë është se në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër, pra s’ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal”.
“Ndërkaq, në anën tjetër, këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari, si parakusht. Dhe, mos të harrojmë asnjëherë se marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj bëhet normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës e Serbisë”./FolDrejt/