Alan Joyce, shefi ekzekutiv i Qantas Airways, i cili dyshohet se ka shitur bileta për mijëra fluturime të anuluara në Australi, ka njoftuar pensionimin e tij të parakohshëm.
Joyce pritet të dalë në pension në fund të këtij viti, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Ai bëri të ditur se do të tërhiqet para kohe nga Qantas Airways, ku ka punuar 22 vite dhe ka qenë menaxher për 15 vite.
Kjo deklaratë pasoi akuzat se kompania po shiste bileta për fluturime të anuluara më parë.
Kompania ajrore njoftoi se shefja aktuale e financave, Vanessa Hudson, do të marrë drejtimin e kompanisë.
“Gjëja më e mirë që mund të bëj në këto rrethana është të tërhiqem dhe t’ia dorëzoj postin Vanessas dhe ekipit të saj të ri drejtues, duke e ditur se ata do të bëjnë një punë të shkëlqyer”, tha Joyce.
Qantas Airlines akuzohet për shitjen e biletave për fluturimet e anuluara
Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (ACCC) ka nisur procedurat ligjore kundër Qantas Airways, një nga kompanitë ajrore kryesore që dyshohet se ka shitur bileta për mijëra fluturime të anuluara.
ACCC ka kërkuar gjobë rekord për Qantas Airways./FolDrejt/