Shqiptari, thonë, jeton me bujqësinë dhe bagëtinë. Unë do ta shtoj edhe një mjeshtëri të tretë: Kurbeti. Kjo frazë goditëse nga Mid’hat Frashëri në veprën e tij “Plagët Tona”, e botuar më 1924, ka përshkuar shqiptarët shpesh gjatë historisë.
Shkruan: Florentina Bislimi
Shqiptarët e kanë gjetur shpesh veten brenda kësaj “mjeshtërie”, siç e cilëson Frashëri, me ose padashje. Me ose pa fajin e tyre. Apo, Kurbeti është vërtetë një plagë që prek shqiptarët kudo në botë. Një plagë që dhemb sepse krijohet shpesh nga halli e zori e shumë pak nga arsyeja e dëshira. Shqiptarët e kanë vuajtur brenda shpirtit të tyre këtë dhimbje të vorbullave historike shkaku i okupatorëve.
Migrimi është fenomen që prek të gjitha popullsitë e botës. Shkaku i luftës, i politikave rrënuese dhe i kushteve ekonomike, njerëzit marrin rrugëzgjidhje drejt vendeve të tjera paqësore e stabile ekonomikisht. Rajoni Ballkanit në europë ishte epiqendra e migrimeve shkaku i luftërave, trazirave, gjenocidit e konflikteve që kanë ravijëzuar historinë e këtij gadishulli ndër epoka e shekuj. Edhe pas vitit 1999 kur përfundoi lufta në Kosovë, ky rajon sërish qendërzohet për migrim të popullsisë, mirëpo tani shkaku i kushteve ekonomike. Ndër to është edhe Kosova që vazhdon të mbetet pa zgjidhje përballë emigrimit të qytetarëve drejt perëndimit. Fluksi i viteve të fundit ka bërë që në institucionet vendore të ngriten debate e kritika, shqetësime e gjykime. Shumica e qytetarëve që po largohen janë tërërisht të rinj e të reja, duke dhënë sinjal se Kosovës po i ikën truri ngase rinia në supet e saj bartë shkollim të lartë universitar dhe fuqi aktive për punë, por që zbarkojnë rrugëve të europës për standarde si të volitshme ashtu edhe më të larta se që ofron vendi i tyre. Kjo ecuri emigracioni të qytetarëve paslufte zë fill pas pavarësimit të vendit por me një shkallë tejet të ulët, ndërsa fluksi masiv filloi nga viti 2014.
Pakënaqësitë e qytetarëve janë të shumëllojshme e këto janë bërë faktor shtytës për shpërngulje ndonëse qytetarët largimin jashtë Kosove në të shumtën e rasteve e kërkojnë jashtë vullnetit të tyre. Papunësia, kushtet e vështira, punësimi pa kushte elementare, pagat e vogla, mungesa e drejtësisë në shumë institucione si dhe perspektiva e dobët kanë shtyrë qytetarët të kapin një vizë shengen a pune drejt shteteve gjetkë në perëndim. Gjithashtu, mungesa e ligjit të sigurimeve shëndetësore si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, nuk i përmbush kërkesat elementare të qytetarëve.
Qeverisjet e lëkundura ishin shtytëse ose nxitëse faktike që sipas burimeve mediale në vitin 2014 rreth 100 mijë qytetarë ia mësynë perëndimit. Budapesti si kryeqendër e Hungarisë ishte bërë pikëtakimi ku kosovarët qëndronin për pak kohë dhe mëpastaj udhëtonin drejt cakut të synuar. Në anën tjetër, publikimet e tjera mediale të bazuara në të dhënat e ambasadave të shteteve europiane në Prishtinë, nga viti 2014 e deri më 2018, tregojnë se janë 413 mijë e 569 qytetarë që kanë kërkuar viza shengen, megjithëse në këtë mes mund të ketë pasur edhe aplikime të ripërsëritura. Ndërsa, nga viti 2018 vetëm nga Sllovenia kanë marrë viza pune 15 mijë e 291 qytetarë. Kërkesat për mirëqenie më të mirë kanë krijuar edhe një mundësi shtesë për qytetarët e Kosovës sepse shtete si Kroacia, Sllovenia, Polonia e Gjermania, ka vite lëshojnë viza pune. Kjo ka bërë që shumë të rinj të pikasin këto shtete për të siguruar një vizë pune që të tejkalojnë hallkat që kanë para vetes. Por ka edhe shtete të tjera ku qytetarët gjejnë veten për punë me standarde e paga të larta si Zvicrra, Belgjika, Suedia, Norvegjia, Finlanda, e të tjera.
Fluksi masiv i synimit për largim është argumentuar së fundi, ku sipas Ambasadës Gjermane në Prishtinë për muajin dhjetor 2021 kishin aplikuar 56 mijë e 639 qytetarë. Vjen pyetja se a ka alternativa për të dalë nga situata aktuale. Shikuar nga rrafshi ndërkombëtar, migrimi mbetet enigmë që nuk ka përgjigjje konkrete. Shikuar nga rrafshi vendor, emigrimi vazhdon të mbetë si plagë e pashëruar. Ndrymja e qytetarëve përballë pamundësisë për punësim dinjitoz ose rrugët me shumë barriera deri te një vend pune kanë bërë që kosovarët të synojnë gjithnjë daljen në shtetet me standarde të larta financiare.
Për të reduktuar në minimun ikjen e popullsisë, probabiliteti është i vogël sipas parashenjave që janë aktualisht, mirëpo organet shetërore do të duhej të merrnin hapa konkret dhe të hartonin një plan efektiv se çfarë masa afatshkurtëra të marrin për të shmangur fluksin e tanishëm dhe çfarë masa afatgjate do të sjellnin rezultate për t’iu ikur flukseve të tjera vitet e ardhshme ndonëse emigrimin në tërësi është vështirë për ta shmangur nga binarët që ka trasuar keqqeverisja e pasluftës. Fillimisht, do të duhej ta kishim ligjin e punës ku çdo punëtor a punëtore do të ishte pajisur me kontratë pune me të drejtat elementare e kjo do të duhej të shtrihej praktikisht në çdo sektor anembanë Kosovës. Ligji i pagës poashtu është një hap tjetër efektiv. Nëse paga minimale lëviz mes 350 e 400 euro, atëherë mundësia që paga mesatare apo maksimale të sillnin më shumë të ardhura për ta, do të mund të shtynte një pjesë të qytetarëve të qëndronin. Hapi i tretë për plane afatgjate do të ishte që të krijohej ambienti për investime të huaja ku do të hapeshin vende të reja pune brenda pesëvjeçarit të ardhshëm. Gjithashtu, krijimi i një sistemi me zyrë ndërlidhëse punësimi ku qytetarët do të mund të aplikonin për vende pune në profesionet e tyre bazë për të cilat kanë studiuar dhe janë formësuar, do të sillte një masë tjetër efektive. Të gjitha këto iniciativa do të duheshin për ta reduktuar ikjen masive, ndonëse realisht shmangia e largimit të tërësishëm vështirë të shihet në horizont.