Balotelli është 100 për qind i sigurt se cilësia e tij është në të njëjtin nivel si e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, megjithëse ai humbi disa shanse për të qenë në atë nivel, ndërsa pendohet që u largua nga Manchester City.
Italiani është nën kontratë me skuadrën turke Adana Demirspor dhe ka shënuar 11 gola në 24 paraqitje këtë sezon.
Ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit luajti ndeshjen e tij të fundit me Italinë në maj 2018, por së fundmi u kthye në Coverciano si pjesë e lojtarëve që po testohen. 31-vjeçari shpreson të marrë shansin e tij në fillim të këtij muaji kur Italia të luajë në ndeshjet “Play-off” të Kupës së Botës.
Balotelli pranon se ai pati momentin më të mirë në karrierën e tij duke veshur fanellën e Azzurrëve gjatë Euro 2012, kur shënoi një dy golësh në gjysmëfinale kundër Gjermanisë, duke ndihmuar kombëtaren e tij të kualifikohej në finale.
“Mendoj se ky ishte momenti më i mirë në karrierën time. Objektivi i vetëm që kam është të shkoj në ekipin kombëtar dhe të përpiqem ta çoj skuadrën italiane në Kupën e Botës, dhe gjithashtu të përpiqem të marr tre vendet e para (në Superligën turke) këtu me Adana. E di që nuk është e lehtë, por këto janë ndoshta dy objektivat që më dalin në mendje, gjërat më të rëndësishme në këtë moment”, ka thënë fillimisht Balotelli për The Athletic.
“Ndjej se mund të jetë kështu për pjesën tjetër të karrierës sime, dhe kjo është ajo që dua, dua vetëm të kthehem në ekipin kombëtar. Dy vitet e fundit nuk ishin shumë të lehta për mua, në Monza dhe Brescia. Kam pasur edhe disa lëndime. Për mua normaliteti duhet të jetë të jesh në kombëtare. Gjëja që nuk është normale është kur unë nuk jam. Pra, padyshim, unë jam duke punuar për të qenë atje në mars, kur të kemi kualifikueset dhe shpresoj se Mancini do të më zgjedhë mua”.
Nga ana tjetër, ‘gabimi më i madh’ i tij ishte largimi nga Manchester City.
“Edhe në vitin kur u largova, luajta shumë mirë në Milan për një vit e gjysmë, por pas kësaj pata disa probleme. Dhe tani që jam rritur, e di që nuk duhej të largohesha nga City në atë kohë”, shtoi italiani.
“Gjatë gjithë këtyre viteve duke parë Cityn duke u përmirësuar, duke u përmirësuar dhe duke u përmirësuar. Mund të isha këtu si Sergio Aguero për një kohë të gjatë. Kur isha në City, ndoshta një ‘top të artë’ mund ta kisha fituar, jam i sigurt për këtë. Por e di, kur rritesh, piqesh më shumë, kështu që…”.
Gjatë intervistës, Balotelli e krahasoi veten me Messin dhe Ronaldon.
“Unë jam 100 për qind i sigurt se cilësia ime është në të njëjtin nivel me këta njerëz, por unë… humba disa raste, e dini? Ndodh.
“Në ditët e sotme, nuk mund të them se jam aq i mirë sa Ronaldo, sepse Topa të Artë fitoi Ronaldo? Pesë? Ju nuk mund ta krahasoni veten me Messin dhe Ronaldon, askush nuk mundet. Por, nëse po flasim vetëm për cilësinë, për cilësinë e futbollit, nuk kam asgjë për t’i xhelozuar, të jem i sinqertë”, përfundoi sulmuesi./Telegrafi/