Ministri federal i Gjermanisë për Çështjet Ekonomike dhe Veprimet Klimatike, Robert Hack, ka deklaruar se ndërprerja e dërgesave të gazit natyror në Evropë nga Rusia përmes gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore’ është një “sulm ekonomik”.
Hack tha se shkurtimi është pjesë e planit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të shkaktuar “kaos” në tregun evropian të gazit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Kjo strategji nuk mund të lejohet të ketë sukses”, theksoi Hack.
Më 15 qershor, gjigandi rus i energjisë ‘Gazprom’ tha se disa pajisje teknike dërguar kompanisë gjermane ‘Siemens’ për mirëmbajtje akoma nuk janë kthyer dhe paralajmëroi se dërgesat e gazit përmes gazsjellësit ‘Rrjedha Veriore’ do të zvogëlohen.
‘Gazprom’ tha se nga 16 qershori mbi 67 milionë metra kub gaz në ditë mund të furnizohen përmes gazsjellësit, respektivisht një reduktim prej 60 për qind.
Holanda, Gjermania dhe Austria njoftuan se do të vendosin në përdorim impiantet e tyre të qymyrit për të reduktuar konsumin e gazit me qëllim mbushjen e objekteve të depozitimit të gazit.
Gjermania është më e varur nga nafta dhe gazi rus se çdo vend tjetër evropian. Ky vend para luftës nga Rusia plotësonte 55 për qind të nevojave të gazit natyror të saj, ndërsa së fundmi këtë normë e ka ulur në 35 për qind.
Qeveria gjermane, që punon shumë për të reduktuar varësinë e saj energjetike, thotë se duhet kohë për t’u bërë plotësisht e pavarur nga gazi rus.
Gjermania në të kaluarën ka qenë subjekt i kritikave të ashpra nga SHBA-ja për varësinë e saj nga burimet energjetike ruse.
Në një njoftim, Federata Gjermane e Industrisë paralajmëroi se nëse gazi natyror nga Rusia ndërpritet, do të ketë një “recesion” të pashmangshëm në ekonomi./FolDrejt/