Policia e Singaporit ka arrestuar 10 persona dhe ka sekuestruar pasuri, duke përfshirë prona dhe makina luksoze me vlerë rreth një miliard dollarë Singapori (737 milionë dollarë) si pjesë e një hetimi për një rrjet të dyshuar për pastrim parash, raporton Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Policia kreu bastisje të njëkohshme të martën në të gjithë qytetin-shtet, thanë ata në një deklaratë të mërkurën në mbrëmje, duke synuar një grup të dyshuar për pastrimin e të ardhurave nga “aktivitetet e krimit të organizuar jashtë shtetit, duke përfshirë mashtrimet dhe lojërat e fatit në internet”.
Së bashku me 94 prona dhe 50 automjete, policia sekuestroi edhe para, çanta luksoze, bizhuteri, ora, pajisje elektronike, shishe verë, dokumente me informacione për asetet virtuale dhe një koleksion stolish ‘Beartulla’.
Të arrestuarit ishin nga Kina, Turqia, Kamboxhia, Qipro dhe Vanuatu dhe ishin të moshës nga 31 deri në 44 vjeç, tha policia e Singaporit.
Më shumë se 400 oficerë morën pjesë në bastisje, ndërsa të dyshuarit u arrestuan nga bungalot luksoze dhe godinat në disa nga lagjet më ekskluzive të Singaporit.
Tetë persona mbeten në arrati, ndërsa 12 po ndihmojnë në hetim, tha policia.
“Hetimet janë në vazhdim. Më shumë asete mund të konfiskohen [dhe] llogari bankare të ngrira”, thuhet në deklaratën e policisë.