Studiuesit nga Universiteti i Aberdeen në Skoci zbuluan se paga e bazuar në performancë shkakton probleme të shëndetit fizik dhe mendor te punonjësit.
Sipas lajmit të gazetës “Independent”, hulumtimi i bazuar në të dhënat e platformës “Understanding Society”, studimi më gjithëpërfshirës mbi statusin socio-ekonomik të familjeve në Britani të Madhe, zbuloi se te punonjësit pagat e të cilëve bazohen në performancë janë më të zakonshme problemet si presioni i lartë i gjakut, problemet kardiovaskulare dhe të shëndetit mendor, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në studim thuhet se nivelet e fibrinogjenit, i cili shoqërohet me stres të lartë, rriten në gjakun e punonjësve që marrin paga të lidhura me performancën.
Një nga studiuesit, shefi i Departamentit të Ekonomisë në Universitetin e Aberdeen, prof. Keith Bender tha se si hulumtimi i mëparshëm, ky studim zbuloi prova të dëmtimit fizik te njerëzit që marrin kompensim të bazuar në performancë.
Duke iu referuar problemeve shëndetësore të shkaktuara nga pagat e bazuara në performancë tek punonjësit, Bender deklaroi se stresi kronik dhe presioni i lartë i gjakut janë më të shpeshta tek njerëzit që punojnë në këtë mënyrë, veçanërisht tek burrat.
Ai theksoi efektet negative të kontratave të punës në bazë të performancës për punonjësit dhe u kërkoi punëdhënësve të marrin masat e nevojshme në këtë drejtim.
Studiuesi tjetër, Daniel Powell tha se punonjësit e bazuar në performancë janë nën presion për të shpenzuar më shumë kohë dhe përpjekje për shkak të shqetësimeve të të ardhurave.
Duke theksuar se presioni në fjalë shkakton stres kronik te punonjësit, Powell shtoi se kjo mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore si dhe tendenca të këqija si përdorimi i alkoolit dhe drogës.
Rezultatet e hulumtimit janë publikuar në revistën “Industrial Relations”./FolDrejt/