Nën kryesimin e Japonisë, në qytetin Hiroshima filloi Samiti G7 2023.
Në Japoni sytë janë kthyer nga samiti 3 ditor i G7-s në Hiroshima, në pjesën jugperëndimore të vendit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në samitin që mbahet nën organizimin e kryeministrit japonez, Kishida Fumio, marrin pjesë liderët e SHBA-së, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Kanadasë dhe Italisë.
Krahas vendeve të G7 në samitin që do zgjasë deri më 21 maj janë ftuar edhe Bashkimi Evropian (BE), Indonezia, India, Koreja e Jugut, Australia dhe Vietnami.
Mikpritësit e aktivitetit, kryeministri japonez dhe bashkëshortja e tij Kishida Yuko, pritën krerët e shteteve dhe qeverive para Muzeut Memorial të Paqes në Hiroshima.
Muzeu i cili ekspozon më shumë se 100 mijë artefakte dhe relike nga periudha e bombës atomike të hedhur në vitin 1945, ishte skena e vizitës së parë kolektive të liderëve të G7-tës.
Nën shoqërimin e çiftit Kishida, liderët dhe bashkëshortet e tyre përfshirë edhe presidentin amerikan Joe Biden dhe bashkëshorten e tij Jill Biden vizituan muzeun dhe kompleksin.
Pas vizitës, liderët ecën dhe vendosën kurora me lule në mauzoleun e ndërtuar për viktimat e bombës atomike në kompleks.
Biden është presidenti i dytë amerikan në detyrë i cili viziton Hiroshimën pas sulmit me bombë atomike në vitin 1945. Barack Obama vizitoi Hiroshimën në vitin 2016.
Samiti i Liderëve të G7 i cili konsiderohet një nga platformat e rëndësishme ndërkombëtare në zgjidhjen e problemeve politike dhe ekonomike globale, do të mbahet në Hotel Grand Prince Hiroshima.
Me bombat e hedhura në Hiroshima më 6 gusht 1945 dhe në Nagasaki më 9 gusht 1945, SHBA-ja shkaktoi vdekjen e rreth 210 mijë njerëzve./FolDrejt/