Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman tha se emigrantët që kalojnë Kanalin Anglez (La Manche) nga Franca në Britani të Madhe do të përballen me një ndalesë të plotë për të kërkuar azil sipas planeve të reja.
Duke mbajtur fjalimin e saj të parë si sekretare e Brendshme, Braverman prezantoi planet e reja të emigrimit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Njoftimi i saj vjen pasi vendi ka regjistruar më shumë se 35 mijë kalime të tilla këtë vit.
Duke folur në konferencën e vjeshtës të Partisë Konservatore, ajo tha se ajo do të gjejë mënyra për të zbatuar planin e qeverisë – Ruanda, sipas të cilit azilkërkuesit do të dërgohen në vendin afrikan ndërsa vijon procesi i përpunimit të aplikimit të tyre. Fluturimet e para që çuan disa azilkërkues në Ruanda u ndaluan pas vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Duhet të ndalojmë anijet që kalojnë Kanalin. Kjo ka zgjatur shumë”, tha Braverman.
“Por, unë duhet të jem e drejtë me ju, nuk ka zgjidhje të shpejta dhe problemi është kronik”, theksoi ajo.
Sekretarja e Brendshme tha se ligji aktual “thjesht nuk po funksionon” dhe ai po “abuzohet” nga kontrabandistët e qenieve njerëzore, kërkesat e minutës së fundit dhe avokatët e specializuar.
“Kjo nuk mund të vazhdojë”, potencoi Braverman.
“Sot unë para jush do të angazhohem se do të përpiqem të çoj përpara legjislacionin që ta bëjë të qartë se e vetmja rrugë për në Britani të Madhe është ajo përmes rrugës së sigurt dhe ligjore”, tha ajo.
“Pra, nëse qëllimisht hyni në mënyrë të paligjshme në Britani nga një shtet i sigurt, ju do të ktheheni menjëherë në vendin tuaj ose të zhvendoseni në Ruandë, ku do të shqyrtohet kërkesa juaj për azil”, shtoi sekretarja Braverman./FolDrejt/