Gjuetia e peshkaqenëve është atraksioni më i madh në mesin e peshkatarëve në Somali, kështu që në plazhet e kryeqytetit Mogadishu është një pamje e zakonshme që të rinjtë mbajnë mbi supe gjahun e tyre disa metra të gjatë, shkruan Anadolu Agency (AA), transmeton Fol Drejt.
Ujërat e Somalisë janë shtëpia e disa mijëra llojeve të peshqve, dhe peshkatarët më së shpeshti kapin ton, skumbri dhe peshkaqen, por edhe lloje të tjera dhe prodhime deti që më pas i shesin në tregje si Hamarweyne.
Peshkatari i ri Ahmed Liban, i cili mban mbi supe një peshkaqen të madh, i tha gazetarit të AA-së se kjo specie është më tërheqëse dhe fitimprurëse për gjueti.
“Unë jam çdo ditë në det dhe kam pesë vite që e bëj këtë punë. Kështu i rris fëmijët e mi”, tha Liban.
Duke thënë se çmimet e peshkaqenëve variojnë nga 300 deri në 600 dollarë, në varësi të madhësisë, Liban tha se çdo mëngjes ai shkon për peshkim me varkë me shpresën se do të ketë diçka për të treguar dhe ofruar për blerësit, por edhe për turistët kureshtarë që presin në plazhe kthimin e peshkatarëve.
Pas Madagaskarit, Somalia ka vijën bregdetare më të gjatë në Afrikë dhe peshkatarët nga disa vende peshkojnë në ujërat e saj.
Me shpërthimin e luftës civile në vitet 1990, brigjet e Somalisë u ‘përmbytën’ nga anijet e huaja të peshkimit, përfshirë ato nga Italia, Japonia, India, Portugalia dhe Kina.
Somalia ende është e përfshirë nga një krizë e thellë politike dhe e sigurisë, e cila është një nga arsyet kryesore që nuk përdor të gjitha burimet e ofruara nga ujërat e pasura të Oqeanit Indian, Detit të Kuq si dhe lumenjve Jubba dhe Shabel. Një dimension i ri i krizës në Somali janë thatësirat ekstreme që janë pasojë e ndryshimeve klimatike./FolDrejt/