Sot, Policia e Kosovës do të organizojë konferencë për media, e cila i dedikohet pranim-dorëzimit të donacionit për kamerat e trupit të Policisë së Kosovës, i cili është projekt i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, transmeton Fol Drejt.
Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë z. Jeffrey Hovenier, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Konferencës i paraprin nënshkrimi i pranim-dorëzimit të donacionit, fjalimet, publikimi i një video-sekuence të përdorimit të kamerave nga zyrtarët policorë, si dhe do të bëhet ekspozimi dhe demonstrimi i përdorimit të kamerave të trupit.
Ngjarja pritet të nisë në orën 14:00, në drejtorinë e Përgjithshme të PK-së, në Prishtinë.