Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ka pritur në takim homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, për të diskutuar tema të tilla si emigrimin, mbrojtjen dhe luftën në Ukrainë.
Duke folur me gazetarët mbrëmë para takimit të tyre në Londër, kryeministri Sunak tha se “vlerat midis dy vendeve tona janë shumë të përafërta dhe kjo është arsyeja pse ne mund të punojmë kaq mirë së bashku në sfidat e përbashkëta”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Mediat britanike raportuan se ai gjithashtu vlerësoi trajtimin e emigracionit të paligjshëm nga ana e kryeministres Meloni, duke theksuar se “është diçka që është e përbashkët për të dy ne”.
Kryeministri britanik gjithashtu shprehu admirimin e tij për “trajtimin shumë të kujdesshëm të ekonomisë italiane nga Meloni”.
Ndërkaq, Meloni u përgjigj duke theksuar se Italia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një “partneritet të fortë”.
Ajo gjithashtu vlerësoi projektligjin e diskutueshëm të emigracionit të paligjshëm të Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne jemi vende që kanë një partneritet të fortë prej dekadash, por mendoj se mund të bëjmë shumë më tepër për shumë tema me të cilat jemi në të njëjtën anë, mbrojtjen, Ukrainën. Trajtimi i trafikantëve dhe emigracionit të paligjshëm është diçka që qeveria juaj po e bën shumë mirë”, tha kryeministrja italiane.
Meloni, e cila drejton partinë e ekstremit të djathtë ‘Vëllezërit e Italisë’, u bë kryeministre vjeshtën e kaluar dhe janë kritikuar politikat e qeverisë së saj ndaj refugjatëve.
Ardhja e saj në Londër u shënua me një protestë kundër qëndrimit të ashpër të qeverisë së saj ndaj refugjatëve./FolDrejt/