Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se është arrestuar zyrtari policor që ka filmuar të arrestuarin i cili ndodhej në ndalim në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut.
“Situata e sigurisë në veriun e vendit tonë vijon të mbetet e brishtë mirëpo përkundër të gjitha rrethanave dhe sfidave me të cilat ballafaqohemi, Policia e Kosovës dhe të gjithë akterët e sigurisë po vazhdojnë të angazhohen maksimalisht dhe suksesshëm për ofrimin e sigurisë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Republika e Kosovës vlerësohet nga të gjithë si shteti më demokratik në Ballkan, duke ruajtur dhe promovuar vlerat dhe parimet bazë të të drejtave të njeriut.”, është shprehur ministri Sveçla.
“Çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie.
Mbrëmë përmes mediave kam parë videon denigruese ndaj një të arrestuari teksa ndodhej në ndalim në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Jugut. Zyrtari Policor i cili ka kryer këtë akt, mbrëmë është suspenduar nga detyra dhe po vijojnë procedurat hetimore nga IPK.
Kam përgëzuar dhe vazhdoj të përgëzoj secilin aksion të organeve tona që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurtë, për mirëqenie, barazi e drejtësi për të gjithë dhe pa dallim. Mirëpo, inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast.”, ka shtuar Sveçla më tej./FolDrejt/