Të paktën 5,000,000 njerëz në Ukrainë kanë humbur punën për shkak të luftës së nisur nga Rusia, deklaroi zëvendësministrja e ekonomisë e Ukrainës, Tetyana Berezhna, gjatë Forumit Ekonomik Polako-Ukrainas, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Lufta po shkatërron tregun e punës në Ukrainë. Armiqësitë vazhdojnë, aty ku më parë ishin të punësuar 10 milionë punëtorë. Të paktën 5 milionë njerëz humbën punën. Qindra punëtorë u vranë në luftime. Rreth 7 milionë njerëz tashmë janë larguar nga vendi për shkak të armiqësive. Shkalla e papunësisë u rrit ndjeshëm”, tha Berezhna.
Sipas fjalëve të saj, prioritetet kryesore të qeverisë ukrainase janë sigurimi i stabilizimit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit, zhvillimi i tregut të punës, kthimi i qytetarëve ukrainas dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Në këtë drejtim, një sërë programesh qeveritare tashmë janë nisur dhe po funksionojnë me sukses, përkatësisht kreditë e përballueshme për bizneset, zhvendosja e ndërmarrjeve në zona më të sigurta, grantet e zhvillimit të biznesit eRobota, projekti i Ushtrisë së Rindërtimit etj.
Sipas Berezhna, çdo partner i Ukrainës mund të kontribuojë në programin e restaurimit në shkallë të gjerë të vendit duke investuar në rindërtimin e infrastrukturës, objekteve industriale dhe sociale, ose duke ofruar mbështetje për programe të caktuara që lidhen me zhvillimin e biznesit dhe punësimit. /FolDrejt/