Svitolina tha se nuk do të luajë kundër asnjë lojtare ruse ose bjelloruse derisa organizatat t’i pranojnë ata si “atletët neutralë”.
Tenistja ukrainase, Elina Svitolina, ka refuzuar të përballet me tenisten ruse Anastasia Potapova në Monterrey Open në Meksikë, pas luftës së Moskës kundër Ukrainës, shkruan AA.
“Besoj se situata aktuale kërkon një qëndrim të qartë nga organizatat tona: ATP, WTA dhe ITF. Si të tillë, ne, lojtarët ukrainas, i kërkuam ATP, WTA dhe ITF të ndiqnin rekomandimet e IOC për të pranuar shtetasit rusë ose bjellorusë vetëm si atletët neutralë, pa shfaqur asnjë simbol kombëtar, ngjyrë, flamur apo himn”, tha ajo në një deklaratë.
Tenistja e 15-të e botës, Svitolina tha se nuk do të luajë kundër asnjë tenisteje ruse apo bjelloruse derisa organizatat të ndërmarrin hapat e nevojshëm, duke shtuar se ajo nuk fajëson asnjë nga atletët rusë për krizën aktuale, transmeton Fol Drejt.
“Ata nuk janë përgjegjës për pushtimin e atdheut tonë. Për më tepër, dua t’u bëj homazhe të gjithë lojtarëve, veçanërisht rusëve dhe bjellorusëve, të cilët shprehën me guxim qëndrimin e tyre kundër luftës. Mbështetja e tyre është thelbësore”, tha tenistja 27-vjeçare.
Potapova, e cila renditet në pozitën e 20-të, gjithashtu bëri një deklaratë pas refuzimit të Svitolinës për të luajtur kundër saj.
“Si rregull, që nga fëmijëria ne zgjedhim rrugën tonë të zhvillimit. Edhe kur isha fëmijë, ëndërroja të luaja tenis pa zgjedhur ndeshjen, vendin apo partnerin në lojë. Është e vështirë t’u shpjegosh njerëzve nga politika se për mua nuk ka kundërshtar nga asnjë vend, unë luftoj për fitore, të luaj më së miri, për rezultatin tim”, tha ajo.
Ajo shtoi se sportistët po bëhen “peng” të situatës aktuale.
“Më vjen keq, por edhe pse jam e huaj në politikë, jam kundër pikëllimit, lotëve dhe luftës”, theksoi Potapova./FolDrejt/