Terapistja kanadeze Victoria Prooday paralajmëroi se fëmijët po kalojnë keq në shkollë dhe janë emocionalisht të paqëndrueshëm për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë dhe prindërimit të keq.
Ajo e përshkroi atë që e sheh si një tendencë shqetësuese në sjelljen e fëmijëve.
“Gjatë dhjetë viteve të punës sime si terapiste fëmijësh, kam parë dhe vazhdoj të shoh një rënie në funksionimin social, emocional dhe akademik të fëmijëve. Si dhe një rritje e mprehtë e aftësive të kufizuara në të mësuar dhe diagnoza të tjera”, paralajmëroi Prudy.
Ajo shtoi se sot fëmijët janë në një gjendje emocionale katastrofike dhe shumë gjëra nga mënyra jonë moderne e jetesës çojnë në këtë.
“Pavarësisht qëllimeve tona më të mira, për fat të keq, ne po e ndryshojmë trurin e fëmijëve tanë në drejtimin e gabuar”, vuri në dukje terapistja.
Për t’u bërë thirrje prindërve, ajo renditi pesë arsye pse ndodh kjo:
- Fëmijët marrin gjithçka që duan, kur duan, dhe pastaj nuk durojnë dot kur u themi “jo”
- Kanë ndërveprim social shumë të kufizuar
- Prindërit krijojnë një botë artificiale argëtimi për fëmijët në të cilën mërzia nuk ekziston
- Fëmijët përdorin shumë teknologji që i largon ata nga ndjenjat emocionale
- Prindërit nuk vendosin kufij të fortë për fëmijët se çka duhet bërë e çka jo.
Ajo gjithashtu theksoi se si prindërit mund të ndryshojnë jetën e një fëmije duke “ushtruar” trurin e tij në mënyrë që ai të funksionojë me sukses në nivel social, emocional dhe akademik.
Në radhë të parë është vendosja e kufijve, duke marrë parasysh atë që është e mirë për fëmijën, jo atë që dëshiron fëmija në një moment të caktuar, duke kufizuar përdorimin e teknologjisë dhe duke u mësuar fëmijëve detyrimet e tyre, të cilat do të jenë një themel i caktuar për ta në të ardhmen, transmeton Fol Drejt.