Kompania amerikane Westinghouse do të ndërtojë termocentralin e parë bërthamor të Polonisë, i cili do të kushtojë rreth 20 miliardë dollarë, zbuloi të mërkurën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.
Morawiecki foli para gazetarëve, duke thënë se Varshava ka punuar shumë për gati 5 vjet në përgatitjen e vendimit për të investuar në energji bërthamore, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas strategjisë energjetike të qeverisë polake, vendi do të ndërtojë gjashtë uzina të energjisë bërthamore me një kapacitet total midis 6 dhe 9 gigavat (GW).
Fabrika e parë do të vendoset në rajonin bregdetar Lubiatowo-Kopalino në veri të vendit.
Reaktori i parë do të fillojë të funksionojë në vitin 2033 dhe do të gjenerojë 1 deri 1,6 GW energji. Reaktorët tjerë do të ndërtohen çdo dy vjet.
Ai konfirmoi se do të ndërtohen edhe dy termocentrale të tjera bërthamore, duke u bazuar “jo vetëm në teknologjitë e dëshmuara, por edhe në partnerë të dëshmuar”.
Një marrëveshje është arritur me Korenë e Jugut për uzinën e dytë ndërsa planet janë duke u bërë për uzinën e tretë, konfirmoi Morawiecki./FolDrejt/