Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u rikthye pas rreth 2,5 vjetësh në platformën e medias sociale “X”, me emrin e vjetër Twitter.
Në postimin e parë të Trumpit në këtë platformë, ku ai ka postuar për herë të fundit më 8 janar 2021, përfshihet fotografia e tij e arrestit me shkrimin “Ndërhyrje në zgjedhje. Mos u dorëzo kurrë!”, si dhe faqja e internetit që drejton në faqen për mbledhjen e donacioneve, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Trump kishte theksuar se prej muajsh kishte planifikuar të rikthehej në platformë në “kohën e duhur”.
Trump u dorëzua në Georgia në kuadër të gjykimit për “ndërhyrje në zgjedhje”
Në kuadër të aktakuzës së përgatitur me akuzën për ndërhyrje ndaj rezultateve të zgjedhjeve në vitin 2020 në Georgia, Trump më herët u dorëzua tek autoritetet.
Trump i cili pagoi shumën e lirimit me kusht prej 200 mijë dollarësh, u largua nga burgu pas rreth 20 minutash.
Për dosjen e arrestimit gjatë dorëzimit, Trump u fotografua për herë të parë si pjesë e procedurave të arrestit. Kjo praktikë është e para në historinë e vendit për një president amerikan.
Trump hapi aplikacionin e tij të medias sociale
Pas pezullimit të llogarisë së tij në “X”, Trump vendosi në përdorim aplikimin e medias sociale të emërtuar “Truth Social”.
Platformat e medias sociale X, YouTube dhe Facebook kishin ngrirë llogaritë e Trump me pretendimet se ka kontribuuar në ngjarjet e bastisjes së Kongresit më 6 janar 2021 dhe ka kryer parregullsi në zgjedhjet presidenciale 2020.
Trump në shkurt 2021 themeloi Grupin e Medias dhe Teknologjisë Trump (TMTG) dhe në tetor njoftoi se nën strukturën e kësaj kompanie planifikon krijimin e platformës së medias sociale të emërtuar “Truth Social”./FolDrejt/