Rrjeti social Twitter do të lërë kodin e praktikave për luftimin e dezinformatave në Bashkimin Evropian, por detyrimet e tij në këtë fushë do të mbeten sipas ligjit të ri, tha Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.
“Twitter braktis kodin vullnetar të BE-së kundër dezinformimit. Por detyrimet mbeten. Mund të vraposh, por nuk mund të fshihesh. Përveç detyrimeve vullnetare, lufta kundër dezinformimit do të bëhet një detyrim ligjor sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale nga 25 gushti. Ekipet tona do të jenë gati për t’u vendosur”, shkroi Breton në Twitter.
Në tetor 2018, me propozim të Komisionit Evropian, platformat e internetit, përfshirë Google, Microsoft dhe Twitter, nënshkruan një kod praktike për të luftuar dezinformimin, transmeton Fol Drejt.