Ukraina thotë se po zhvillon teknologji të re për të luftuar valët e sulmeve nga dronët e prodhuar nga Irani që ka blerë Rusia.
Oleksii Reznikov, ministri ukrainas i mbrojtjes, tha të premten se ai besonte se Rusia aktualisht ka rreth 300 dronë sulmues të prodhuar nga Irani, “dhe ata po përpiqen të blejnë disa mijëra dronë të tjerë të tillë. Ne do të shohim nëse do të ndodhë apo jo, por ne kemi për t’u përgatitur”, shkruan CNN.
“Ne po zhvillojmë sisteme për shtypjen e tyre… Ne çmontojmë dronët për të [shikuar] detajet, të shohim se çfarë lloj “truri” elektronik kanë brenda dhe në përputhje me rrethanat përgatisim kundërmasa të ndryshme,” shtoi ai.
Rusët po përdornin dronët iranianë “kamikaze” në grupe, pjesërisht për të zbuluar disponimin e mbrojtjes ajrore ukrainase, tha të enjten Natalia Humeniuk, zëdhënëse e ushtrisë ukrainase në jug. “Tani ata kanë filluar t’i përdorin pothuajse në të gjithë territorin e Ukrainës, po i përdorin nga drejtimet veriore, jo vetëm nga jugu”.
Në rajonin jugor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 109 dronë dhe 33 kishin goditur objektiva, shtoi Humeniuk, duke thënë se shumica kishin për qëllim infrastrukturën civile.
“Fakti që ata po përpiqen t’i përdorin këta dronë në objektet kritike të infrastrukturës, për të na privuar nga uji, nxehtësia, energjia elektrike, korrespondon me karakteristikat taktike dhe teknike dhe qëllimin e këtyre dronëve kamikaze, sepse funksionojnë si shkrepse. [Droni] i vë flakën objektit dhe e çaktivizon jo me shpërthim, por më shumë me zjarr”, shpjegoi ajo./FolDrejt/