Agjencia policore e bllokut evropian Europol ka nojftuar se policia spanjolle ka shkatërruar grupin më të madh të krimit të organizuar që besohet se ka drejtuar “narko-bankën” më të madhe në Evropë, e cila ishte përdorur për pastrimin e parave nga trafiku i drogës.
Europol tha se grupi, i cili kryesisht përbëhet nga sirianë, vepronte në restorant në një park industrial në qytetin qendror spanjoll Fuenlabrada. Atje, sipas Europol, klientët mund të depozitonin ose mbledhin para me shumicë dhe t’i pastronin fitimet e tyre nga rrjeti financiar i strukturuar ndërkombëtarisht, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Europol tha se grupi ofronte shërbime financiare për bandat e krimit të lidhura me trafikun e drogës në më shumë se njëzet vende anembanë botës. Policia spanjolle thotë se besohet se banka ka pastruar mbi 300 milionë euro (290 milionë dollarë) çdo vit që nga viti 2020.
Grupi përdori sistemin e ashtuquajtur “hawala”, i njohur për bandat kriminale dhe të tjerët për të lëvizur shuma të mëdha parash pa përcjellje ose të dhëna të tjera.
Europol njoftoi se 32 persona u arrestuan në bastisjet e kryera më 27 shtator. Policia spanjolle tha se 11 persona janë burgosur, duke përfshirë udhëheqësin e dyshuar të rrjetit dhe avokatin e grupit.
Në total, policia sekuestroi rreth 3 milionë euro (2.9 milionë dollarë) në para të gatshme. Gjithashtu u konfiskuan 11 automjete luksoze dhe sasi hashash dhe marihuanë, ndërsa bllokuan 19 llogari të kriptomonedhave me vlerë prej 1.5 milionë euro (1.45 milionë dollarë)./FolDrejt/