Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se ushtria ruse ka marrë nën kontroll vendbanimin Popasna në Ukrainë dhe ka arritur në kufijtë administrativë të qytetit Luhansk.
Konashenkov tha se njësitë taktike luftarake ajrore ruse, gjatë natës shkatërruan 16 zona ku grumbulloheshin trupat dhe automjetet teknike ukrainase. Ai theksoi se njësitë artilerike dhe raketore eliminuan 33 qendra komandimi në rajonin Mykolaiv, zonën ku ndodheshin 407 njësi ushtarake dhe mjete teknike, 5 depo municionesh dhe karburanti dhe rreth 380 forca të armatosura nacionaliste, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Trupat ushtarake ruse dhe forcat e të ashtuquajturës Republikës Popullore të Luhanskut morën nën kontroll njësinë e vendbanimit Popasna”, tha Konashenkov duke shtuar se mbrojtja e forcave ukrainase u shty thellë dhe se është arritur në kufijtë administrativë të Luhanskut.
Ai tha se si rezultat i sulmeve u eliminuan 13 mjete teknike ushtarake, 12 automobila me përdorim për qëllime të ndryshme dhe rreth 120 forca nacionaliste.
Duke rikujtuar se në mbrëmjen e 9 majit në rajonin e Kharkivit u godit edhe një avion Su-25 i Ukrainës, Konashenkov vuri në dukje se sistemet e mbrojtjes ajrore ruse shkatërruan 3 mjete pa pilot (dronë) në zonën përreth Donetskut dhe Odessas.
“Deri më sot janë rrëzuar 163 avionë, 124 helikopterë, 793 mjete ajrore pa pilot, ndërsa janë shkatërruar 300 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 2.979 tanke dhe mjete të blinduara, 351 multi-raketahedhëse, 1.440 obusë dhe mortaja si dhe 2.789 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës”, tha Konashenkov./FolDrejt/