Futbollistët e Brazilit donin të fitonin Kupën e Botës në Katar edhe për shkak të Peles. Ata donin t’ia kushtonin trofeun atij, i cili në ato ditë po humbiste betejën me një sëmundje të gjatë dhe të rëndë.
Nuk ia dolën, u mposhtën nga Kroacia në ndeshjen gjysmëfinale. Pele vdiq më 29 dhjetor të vitit të kaluar, 11 ditë pas finales së Kupës së Botës.
“Babai ishte shumë keq kur Brazili humbi ndaj Kroacisë. Të gjithë donin që Brazili të fitonte Kupën e Botës për babain tim, por ai e kuptonte futbollin më mirë se shumë të tjerë. Ai e dinte që ekzistonte mundësia që dikush tjetër ta fitonte titullin dhe gjithmonë thoshte se kjo është arsyeja pse ai e do këtë lojë të bukur”, tha vajza e tij Kely Nascimento, duke zbuluar se për kë kërkonte fitore Pele pas eliminimit të Brazilit.
Ai tha se Messi e meriton titullin
“Pasi Brazili humbi, ata të gjithë nxituan në dhomën e spitalit dhe e pyetën se kush do ta fitonte titullin. Ata shpresonin se nuk do të ishte Argjentina, dhe ai u tha atyre se shpresonte të ndodhte sepse Kupa e Botës duhej të qëndronte në Amerikën e Jugut dhe se Messi e meriton”, tha vajza e Peles.
“Ai nuk mund të shikonte më TV kur u luajt finalja, por ai e kuptoi që Argjentina kishte fituar dhe se Messi kishte ngritur kupën. Ai ishte i lumtur,” shtoi ajo, transmeton Fol Drejt.