Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë ose obeze deri në vitin 2035 nëse nuk ndërmerren hapa për ta parandaluar atë, sipas një raporti të ri nga Federata Botërore e Obezitetit.
Atlasi i Federatës Botërore të Obezitetit parashikon se 51 për qind e popullsisë së planetit tonë, ose më shumë se 4 miliardë njerëz, do të jenë obezë ose do të vuajnë nga problemet që lidhen me peshën e tepërt trupore në 12 vitet e ardhshme, përcjell Fol Drejt.
Raporti vë në dukje se normat e obezitetit do të rriten veçanërisht me shpejtësi tek fëmijët dhe popullsia e vendeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta.
“Paralajmërim i qartë”
Duke thënë se të dhënat flasin vetë dhe përfaqësojnë një “paralajmërim të qartë”, Louise Baur, presidente e Federatës, shtoi se politikëbërësit duhet të veprojnë tani për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Fakti që shkalla e obezitetit po rritet më shpejt tek fëmijët dhe adoleshentët është veçanërisht shqetësues,” tha ajo, duke shtuar: “Qeveritë dhe politikëbërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek brezat e rinj”.
Raporti tregon se obeziteti i fëmijërisë mund të dyfishohet më shumë nga shkalla e vitit 2020. “Më saktë, deri në 208 milionë djem dhe 175 milionë vajza janë në rrezik të përballen me këtë problem deri në vitin 2035”, thuhet në raport.
“Individët nuk kanë faj”
Organizata parashikon që deri në vitin 2035, bota do të shpenzojë më shumë se katër trilion dollarë në vit ose tre përqind të PBB-së globale për sëmundjet e lidhura me obezitetin. Por autorët e raportit theksojnë se nuk po fajësojnë individët, por po bëjnë thirrje që bota të fokusohet në faktorët socialë, mjedisorë dhe biologjikë që mund të shkaktojnë obezitet.
Në vlerësime, Federata përdori indeksin e masës trupore (BMI), i cili tregon lidhjen midis peshës trupore dhe gjatësisë. Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një BMI mbi 25 do të thotë se një person është mbipeshë, dhe mbi 30 do të thotë se ai është i trashë.
Në vitin 2020, rreth 2.6 miliardë njerëz, ose 38 për qind e popullsisë së botës, ranë në kategoritë e lartpërmendura. Raporti tregoi gjithashtu se pothuajse të gjitha vendet ku parashikohet rritja më e madhe e obezitetit në vitet e ardhshme janë vendet aziatike dhe afrikane me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Të dhënat do t’u paraqiten politikëbërësve të Kombeve të Bashkuara dhe vendeve anëtare javën e ardhshme./FolDrejt/