Në Francë, ka arritur në 201 numri i personave të arrestuar në protestat e fundit të zhvilluara kundër reformës së diskutueshme të pensioneve të qeverisë franceze.
Ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin, foli lidhur me protestat e 10-ta masive të zhvilluara në të gjithë vendin kundër reformës së pensioneve, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Darmanin falënderoi 13 mijë forcat e policisë dhe të xhandarmërisë që u mobilizuan në protesta dhe u shpreh se janë në solidaritet me 175 efektivë të sigurisë që u plagosën në protesta.
Ministri francez theksoi se në protesta u arrestuan 201 persona.
Kriza e reformës së pensioneve
Në Francë vazhdojnë protestat të cilat filluan më 16 mars pasi qeveria vendosi të kalojë në Parlament pa votim projektligjin i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit me 2 vite, nga 62 në 64 vjeç.
Në shumë pika të vendit shënohen ngjarje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, e cila ndërhyn ashpër ndaj protestuesve.
Në protestat e mbajtura në mbarë vendin që nga 16 marsi e deri më tani janë arrestuar mbi 1.000 persona.
Në protestën e 9-të masive të mbajtur më parë dolën nëpër rrugë miliona njerëz./FolDrejt/