Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të mjekëve F.S., dhe G.S., kurse masën e lajmërimit në stacion policor ndaj të pandehurit S.R., të dyshuar për veprat penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “Manipulim me prova”.
Përmes një komunikate për medie, Gjykata njofton se masa e sigurisë do të vlejë nga 27 qershor 2023 deri më 27 korrik 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të mërkurën (28 qershor 2023), Policia e Kosovës njoftoi se tre mjekët F.S, G.S dhe S.R janë arrestuar në Spitalin e Prizrenit dhe janë dërguar në mbajtje, nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, pasi një person ka raportuar që pak minuta pas lindjes së gruas, foshnja e sapolindur vdiq, me dyshimin se kjo ka ndodhur si pasojë e trajtimit jo të duhur nga stafi mjekësor.,
Në njoftim thuhet se të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë dyshohen se kanë vepruar në mënyrë të pakujdesshme me rastin e lindjes së një fëmiu.
“Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është rënduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë” thuhet në komunikatë.
Po ashtu, aty thuhet se placentën e fetusit të fëmijës së posalindur e kanë fshehur, e cila placentë nuk është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) si provë vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes.
“Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes”, thuhet në komunikatë.
Andaj, pas seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, thuhet se Prokurori i Shtetit ka deklaruar se tërhiqen nga kërkesa e bërë në po të njëjtën ditë (29 qershor) për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka propozuar që ndaj të pandehurve F:S., dhe G.S., të caktohet masa e arrestit shtëpiak, dhe ndaj të pandehurit S.R., të caktohet masa paraqitje në stacion policor, masë e cila u aprovua nga Gjykata. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.