Hoxhë Ekrem Avdiu ka përkujtuar përkushtimin e familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari ndaj fesë islame, duke iu referuar pikërisht përkushtimit ndaj agjërimit edhe në kohë lufte.
“Në këto kulla të cilat shihen prapa meje, me datë 22 janar 1998, një familje legjendare, e bekuar dhe shumë e respektuar ishin zgjuar për të ngrënë syfyr dhe pasi që e përfunduan vaktin e syfyrit, dikush prej familjarëve përgatitej për të falur namazin e sabahut, ndërsa atyre mbase edhe nuk u shkonte ndërmend se jashtë ishte një forcë vrastare, ishte një organizatë gjakatare, e cila kishte ndërmend që t’i shkatërronte, t’i piqte e t’i digjte. Kjo ndodhi në muajin e bekuar të Ramazanit, në kohën e syfyrit, respektivisht në kohën e namazit të sabahut, mirëpo vigjilenca e atyre legjendarëve e bëri sulmin e forcave serbe të dështuar dhe për këtë lavdi i takon Allahut fuqiplotë” – ka thënë ndër tjerash hoxhë Avdiu, i cili krahas urimeve që u ka bërë besimtarëve myslimanë me rastin e Ramazanit, kërkoi edhe braktisjen e produkteve serbe dhe promovimin e produkteve vendore./FolDrejt/