Në orët e fundit, sipas lajmeve ndërkombëtare, armata ruse ka bombarduar 33 vende në Ukrainë.
Nga vatrat e luftës është raportuar për qindra të vrarë dhe shkatërrime masive.
“Rusët thonë se nuk po godasin objekte civile, por 33 objekte civile janë goditur gjatë 24 orëve të fundit”, tha Vadym Denysenko për agjencinë e lajmeve Reuters, transmeton Fol Drejt.
Të përgjakshme kanë qenë edhe përballjet në disa qytete, ndonëse ushtria ruse ka depërtuar duke i thyer pozicionet e ukrainasve në disa fronte në veri, lindje dhe jug të Ukrainës. Që nga e enjtja, rusët kanë depërtuar edhe në kryeqytetin e Ukrainës në Kiev.
Pamjet rrëqethëse të refugjatëve, të qytetarëve të tmerruar nga bombardimet e pandërprera, i kanë prekur edhe qytetarët rusë. Një pjesë e tyre kanë dalë hapur kundër planeve të Vladimir Putinit, i cili po vijon të portretohet si i çmendur.
Në Shën Petersburg dhe qytete të tjera, ka pasur edhe protesta.
Pak para fillimit të pushtimit, sociologu Aleksei Levinson i Agjencisë së pavarur të sondazheve ‘Levada Center’, tha për Radion Evropa e Lirë se opinioni publik në Rusi, dominohej prej “frikës nga lufta”, që megjithatë nuk ishte në nivelin e “ndjenjës kundër luftës”.
Nga anën tjetër BE-ja do pritet t’i shpallë sanksionet “më të ashpra ndonjëherë” kundër Rusisë, ku do të përfshijnë sanksione personale kundër Putinit dhe Lavrovit, pjesë këmbimi të avionëve dhe kufizime në pasaportën diplomatike ruse.
Ukrainasit, ndërkaq, janë betuar se do ta mbrojnë me çdo kusht tokën e tyre. Presidenti i Volodymyr Zelenskyy ka thënë se ai më nuk e ka vendin në zyrën e tij, por do t’ju bashkohet ushtarëve në llogore. Burime të afërta pranë zyrës së tij citojnë atë t’ju ketë thënë udhëheqësve të BE-së dje: “Mund të jetë hera e fundit që do të më shihni të gjallë!”
Aktualisht, nga Kievi raportohet se janë ndaluar luftimet, por lufta nuk pritet të pushojë shpejt./FolDrejt/