Myftiu i Zonës së Shkodrës, Imami Muhamed Sytari ka folur rreth familjes dhe bazës së një ndërtimi të shëndoshë të saj në shoqërinë tonë.
Sytari ka theksuar se sjellja e burrave duhet ndryshuar duke filluar nga disa kërkesa bazike kur zgjedhin të jetojnë dhe të krijojnë familje me një grua.
Imami shkodran ka thënë se gabimi i parë që bëjnë burrat është kërkimi i asaj që gruaja e tyre duhet të jetë si nëna e tyre. Gabimi tjetër për të cilin flet Sytari është se gruaja shihet si shërbëtore e në fakt ajo është zonja e shtëpisë dhe duhet të shihet dhe të trajtohet si mbretëreshë.
“Në familje nuk ka, dikush është shërbëtor dhe dikush është mbret, dikush është hyzmeqar, dikush duhet të rrijë ditë e natë kambë mbi kambë duke dhënë urdhëra e duke tregu me gisht, burrë qoftë apo grua, gruaja jote nuk mund të jetë kurrë nana e jote në të gjitha cilësitë e saj, në sjellejn e saj, në komunikimin e saj e as në botëkuptimet e saj”, u shpreh Sytari.
Në lidhje me ndërtimin e familjes, imami përmendi edhe jetën e Pejgamberit Muhamed s.a.v.s, të cilën nuk e përshkroi si përfekte por të ndërtuar mbi kushte të cilat e bënin atë të shëndoshë.
Fol Drejt më poshtë ju sjell videon në të cilën mund ta ndiqni fjalën e plotë të imamit shkodran.
Sytari në lidhje me temat të cilat lidhen me aktualitetin si në këtë rast me ndërtimin e një familjeje të shëndoshë, ka paralajmëruar një cikël episodesh, të cilat keni mundësi t’i ndiqni në Fol Drejt./FolDrejt/