Shkruan: Xhemail Çupi
Duke qenë i ngazëlluar dhe krenar për shkak të festave të nëntorit, e në anën tjetër, i shtangur dhe i mërzitur nga ajo që shoh çdo ditë nëpër masmediume për gjenocidit fashizoid sionist ndaj popullit civil palestinez në Gaza, që nuk kurseu as foshnjat e as objektet spitalore dhe sakrale, në këto emocione të përziera, një nga pyetjet që më ka preokupuar është kjo në vijim:
Pse shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore, atëherë kur ata ishin duke pësuar nga gjenocid nazist të paparë, saqë ishin të prag të shfarosjes totale si popull?! Pra, në kohën kur Evropa nuk ishte vend i sigurt për hebrenjtë, pse shqiptarët rrezikuan jetët e tyre për të mbrojtur komunitetin hebre?!
Historianët dhe studiuesit kanë dhënë hipoteza të ndryshme për këtë fakt historik, që për hir të vërtetës, nuk është se ka pasur ndonjë jehonë të madhe në botë, madje disa me kast apo me pahir janë munduar ta minimizojmë dhe anatemojnë si diçka të rastësishme dhe spontane, diçka të parëndësishme, ngase numri i atyre që shpëtuan ishte tepër i vogël në raport me narrativin e diapazonit të fenomenit.
Para se të tregojmë shkaqet, është e udhës ti sqarojmë dilemat e mësipërme. E para, edhe pse nuk kemi shifra të sakta numerike, konstatojmë se bëhet fjalë për shpëtimin e mijëra hebrenjve të vendosur në Shqipëri dhe argument për këtë kemi statistikat e numrit të banorëve, ku para luftës së Dytë Botërore thuhet se hebrenjtë që jetonin në Shqipëri ishin vetëm dyqind, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore ata ishin shtuar në dy mijë banor. Dilema e dytë ka të bëjë me ndihmën që iu është afruar, pasi konsiderojmë se ajo nuk ka qenë spontane dhe sporadike por ka qenë sistematike dhe mirë e organizuar, duke u përfshirë këtu edhe ndihma nga institucionet shtetërore, ku me urdhër të vetë mbretin Zog, zyrtarët lëshuan karta të rreme identiteti për të mbrojtur hebrenjtë.
Sidoqoftë, nga hipotezat më të përfolura se pse shqiptarët iu ofruan mikpritjen dhe ndihmën hebrenjve, jo për një ditë, e as për një muaj, por në disa raste edhe për disa vite, ishte epiteti i dalluar për ne shqiptarët që quhet “Besë”. Pra, konsiderohet se ishin zakonet dhe traditat ato që shtynë shqiptarët ti ndihmojnë të huajt, ngase në këtë rast, hebrenjtë duke ardhur në oborret e shqiptarëve, kishin rënë në besën e shqiptarëve dhe me këtë rast, nikoqirët kanë qenë të detyruar që, sipas traditave, t’i mbrojnë ata që i kanë në besë.
Hipoteza e dytë është se shqiptarët i ndihmuan hebrenjtë të prirë nga fisnikëria dhe bujaria që i ka karakterizuar ata si popull, që sipas bindjeve të mia llogaritet si tipar i gjeneralizuar por jo edhe një motiv i fortë.
Gjithsesi, personalisht, konsideroj se shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët në kohën kur kjo mund të rrezikonte edhe jetën e tyre, nuk duhet thjeshtuar vetëm me fenomenin e “besës” dhe kodin shqiptar të nderit, sikurse lexohet rëndom, por ndërlidhet me diçka akoma më të fuqishme se kjo. Janë pikërisht vlerat e larta morale ata që nxitën shqiptarët të mbronin mysafirët e tyre të paftuar. Është kultura humane ajo që i shtyri ata në një sakrificë kaq sublime. Dhe në fund, është empatia, keqardhja dhe dhembshuria ajo që i shtyu ato tu dalim në krahë viktimave, sepse shqiptarët në sytë e hebrenjve panë trishtimin që dikur vet kishin përjetuar nga pushtimet e vazhdueshme, në eksodin e hebrenjve panë eksodin shekullor të tyre, dhe në dhimbjen e hebrenjve kujtuan dhimbjen shekullore nga armiqtë e tyre që çdoherë i kanë vrarë e persekutuar me pa të drejtë, pra thjesht, i ndihmuan sepse panë ngjashmëri te ato.
Sot, vërtetë kanë ndryshuar aktorët, por roli ynë duhet të ngelet i njëjtë. Të prirë po nga këto vlera morale, nga kultura humane, apo nga tradita e besa, ne duhet të vazhdojmë të ndjejmë dhe të ndihmojmë çdo popull që përjeton halle të njëjta si ne, andaj nëse dikur mbi këto vlera u miqësuam dhe i hapëm dyert e sigurisë dhe bujarisë për hebrenjtë, mbi këto vlera duhet atyre haptazi apo fshehurazi tua themi të vërtetën në sy se tashmë “viktima është kthyer në agresor” (nëse të parët e tyre përjetuan gjenocidin dhe holokaustin nga nazizmi, ata janë duke bërë gjenocid dhe holokaust mbi popullin palestinez) dhe në anën tjetër të mbështesim haptazi apo fshehurazi popullin e vuajtur palestinezë që janë duke pësuar për të drejtat e tyre elementare të vetëvendosjes dhe besimit në Zot, ashtu siç vuanim ne dikur.
Do ta përmbyll këtë shkrim me një thënie tashmë të njohur se “bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që e dëmtojnë atë, sepse të tillë ka pasur dhe do ketë çdoherë, por për shkak të atyre që e shohin dhe nuk bëjnë asgjë”. Tashmë që kemi parë dhe e vërteta na është bërë e qartë, është koha për të vepruar duke mbrojtur të shtypurin, si dikur dhe jo të jemi në anën e agresorit./FolDrejt/