Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot në Shkup se deklaratat për pranimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) deri në vitin 2030 janë “urime të mira” dhe se ai nuk dëshiron të shkatërrojë ambiciet dhe optimizmin e të tjerëve, por ai nuk është i sigurt se do të jetë kështu.
“Ne folëm për të ardhmen evropiane, disa janë më entuziastë, disa më pak. Dita e sotme kaloi në një diskutim konstruktiv, nuk pati debate dhe zënka të mëdha sepse Prishtina dhe ne i lamë problemet tona për takimin e së enjtes në Bruksel”, tha Vuçiq pas takimeve të krerëve të shteteve pjesëmarrës në procesin Brdo-Brioni në Maqedoni.
Presidenti i Serbisë, pas një takimi të organizuar nga presidentët e Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Sllovenisë, Stevo Pendarovski, Zoran Milanoviq dhe Natasha Pirc Musar, tha se ka diskutuar me liderët për marrëdhëniet e vetë Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së.
“Çfarë mund të kërkojmë ne, që nga nismat e ndryshme drejt gjithë Europës e deri te vendosja e linjave të gjelbra në tregun e përbashkët. Në deklaratë thuhet anëtarësimi në BE sa më shpejt dhe maksimumi deri në vitin 2030. Këto janë dëshira të bukura, por kush jam unë që të shkatërroj optimizmin e të tjerëve dhe t’ua pakësoj ambicien. Është mirë nëse është kështu, por nuk jam i sigurt nëse do të jetë”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka deklaruar sot se për çështjen e sanksioneve, Serbia vendos vetë si shtet sovran dhe se në këtë drejtim dallon nga Kosova.
“Sa i përket sanksioneve, ne vetë vendosim për sanksionet si vend sovran dhe në atë që dallojmë nga Prishtina, jo për çështjen e Rusisë, Ukrainës, nuk e di se çfarë, por në çështjen se kush është vend sovran dhe kush nuk është dhe nuk do të jetë kurrë”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Shkup.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë pret në takimet në Bruksel për Kosovën, Vuçiq tha se priste që takimet të ishin të vështira, pasi sipas tij, asnjëra prej tyre nuk ishte e lehtë.
“Kjo nuk është se po flasim me Albin Kurtin, por sepse po flasim me përfaqësuesit e Brukselit, të cilët e dini se çfarëdo që të thonë, gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër”, ka theksuar Vuçiq, transmeton Fol Drejt.