Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thotë se Prishtina duhet të bëjë disa lëshime në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Ai tha se serbët janë të gatshëm për bisedime, por atyre duhet t’u ofrohet diçka në këmbim, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
“Të gjithë serbët në veri e shohin Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti,” tha Vuçiq në një intervistë për Reuters, dhe shtoi se “dikush duhet të merret me të dhe të organizojë zgjedhje të reja atje. ”
Ai përkujtoi se Asociacioni i Komunave Serbe ende nuk është formuar dhe tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është i gatshëm për kompromis.
“Jam i sigurt se Kurti nuk do të investojë asnjë minutë nga koha e tij dhe asnjë pikë djerse për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.
Ai foli edhe nëse Ushtria Serbe po mendon të zvogëlojë gatishmërinë e saj luftarake.
“Ne do t’i mbajmë forcat tona ushtarake në gatishmëri të lartë, jo në gatishmërinë më të lartë luftarake, sepse kjo kushton shumë”, shtoi Vuçiq.
Përveç kësaj, ai tha se Serbia është në negociata me Francën për blerjen e avionëve luftarakë Rafal, si dhe se është duke negociuar për të forcuar më tej ushtrinë e saj me armë perëndimore.
Ai theksoi se Serbia mbetet në rrugën evropiane, si dhe se arriti të balancojë politikën e saj të jashtme për të mundësuar vazhdimin e marrëdhënieve miqësore me aleatët e saj historikë Rusinë dhe Kinën. /FolDrejt/