Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka shkruar në Twitter në lidhje me situatën në Kosovë.
Lungescu u shpreh se angazhimi i misionit të NATO-s për zbatimin e mandatit të tij është i palëkundur.
“Misioni i NATO-s në Kosovë po i merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë ajo.
“Angazhimi i misionit të NATO-s për zbatimin e mandatit të tij është i palëkundur, siç tregohet nga dislokimi shtesë i fundit i 500 trupave”, ka shtuar tutje Lungescu.
“I rikujtojmë edhe një herë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake, duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin dhe për të ruajtur mjedis të sigurt”, ka shkruar Lungescu në Twitter, përcjell Fol Drejt.