Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se ushtria ruse goditi disa apartamente dhe një godinë universitare në qytetet ukrainase Kriviy Rig dhe Kherson mëngjesin e sotëm dhe se ka të vdekur dhe të plagosur, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë në profilin e tij në rrjetet sociale, Zelenskyy konfirmoi se mëngjesin e sotëm Rusia ka kryer sulme në qytetet e Ukrainës. Ai thekson se Ukraina është nën zjarr nga Rusia, e cila “vazhdon të terrorizojë rajonet, qytetet paqësore dhe njerëzit”.
“Apartamentet dhe godina e universitetit u goditën në Kriviy Riga dhe Kherson mëngjesin e sotëm. Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur. Është e mundur të ketë njerëz nën rrënoja. Ngushëllimet e mia për ata që humbën të dashurit e tyre nga terrorizmi rus”, tha Zelenskyy.
Ai shtoi se të gjitha shërbimet e urgjencës kanë mbërritur në terren dhe përpiqen të shpëtonin sa më shumë njerëz. Presidenti ukrainas shtoi se Rusia ditët e fundit ka shënjestruar qytete dhe objekte civile, por se nuk kanë frikë.
Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm ukrainas, Igor Klimenko, në profilin e tij në rrjetet sociale tha se ushtria ruse sulmoi Kriviy Rig me dy raketa. “Njëra prej raketave goditi një ndërtesë katërkatëshe të një institucioni arsimor. Me siguri ka njerëz nën rrënoja. Ekipet e kërkim-shpëtimit dhe policia janë duke punuar”, tha ai.
Në profilin e tij në rrjetet sociale është prononcuar edhe presidenti i Administratës Ushtarake të Rajonit Kherson, Aleksandar Prokudin, i cili ka deklaruar se Rusia ka bombarduar pjesën qendrore të qytetit Kherson me raketa shumëtytëshe mëngjesin e sotëm, ku si pasojë ka humbur një punonjës i një kompanie publike.