Australia tha sot se ka humbur të gjitha shpresat për gjetjen e 4 ushtarëve që u zhdukën pas rrëzimit të helikopterit, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Frika jonë më e keqe është konfirmuar”, tha kryeministri australian, Anthony Albanese, sipas një postimi në Twitter të shpërndarë nga llogaria e tij zyrtare. “Kjo ishte një fundjavë shumë e vështirë për kombin tonë”, shtoi ai.
Pjesëtarët e ushtrisë australiane, kapiteni Danniel Lyon, nëntogeri Maxwell Nugent, rreshteri Joseph Laycock dhe nëntetari Alexander Naggs, u shpallën të zhdukur pas rrëzimit të helikopterit ushtarak në brigjet verilindore të vendit.
“Unë e di se çdo anëtar i Dhomës (së Parlamentit), si dhe të gjithë australianët, bashkëndjejnë me familjet (e ekuipazhit të zhdukur)”, shtoi ai.
Në një postim të veçantë në Twitter, ministri i Mbrojtjes, Richard Marles tha se përpjekjet e kërkimit kanë “gjetur rrënoja të konsiderueshme nga helikopteri”, duke e quajtur incidentin “katastrofik”. “Çdo orë që po kalon, po bëhet e qartë se të gjitha shpresat për të gjetur ushtarët e zhdukur kanë humbur”, tha ai.
Marles shtoi se misioni i kërkim-shpëtimit tani është kthyer në një rikuperim. Ministria e Mbrojtjes e vendit ka thënë se helikopteri i Ushtrisë Australiane MRH-90 Taipan u rrëzua pranë ishullit Lindeman, në brigjet e Queensland-it.
Helikopteri po merrte pjesë në aktivitete stërvitore gjatë natës si pjesë e stërvitjes së vazhdueshme “Talisman Sabre 2023” me SHBA-në kur u raportua i zhdukur në mbrëmjen e së premtes vonë.
“Talisman Sabre 2023”, stërvitja më e madhe ushtarake midis Australisë dhe SHBA-së, që përfshin rreth 30 mijë pjesëtarë ushtarak nga 13 vende, filloi më 22 korrik dhe do të vazhdojë deri më 4 gusht.