Dita e diele e 23 prillit është caktuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, për komunat veriore të Kosovës. Qytetarët e veriut të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit do të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët, për udhëheqës të këtyre komunave, pasi ato kanë mbetur pa udhëheqës që nga nëntori i vitit të kaluar, shkruan Fol Drejt.
Për komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit, qytetarët do të detyrohen të votojnë edhe për kuvendet komunale.
Kandidatët e certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), për kryetarë të komunave në fjalë, janë:
Për Mitrovicën e veriut:
Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare – Mitrovica;
Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK);
Dhe, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje (LV).
Për Leposaviqin:
Albulena Behluli – Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK);
Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës;
Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LV).
Për Zveçanin:
Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK);
Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur;
Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje (LV).
Për Zubin Potok:
Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK);
Flatron Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje (LV).
Ua kujtojmë se braktisja e institucioneve nga Lista Serbe, krijoi kontekstin e nevojshëm për zgjedhje të parakohshme lokale në këto komuna. Në nëntor të vitit të kaluar, vendimit të kësaj partie iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë nga administrata, gjyqësori dhe Policia e Kosovës, duke krijuar vakume institucionale në këto komuna. Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe përkundër marrëveshjeve të arritura në parim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundmi, Lista Serbe nuk ka pranuar të futet në garë në këto zgjedhje./FolDrejt/