Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh ka thënë se është thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet e vazhdueshme dhe përshkallëzimi i mundshëm i situatës së sigurisë që përfundimisht mund të ndikojë tek njerëzit në terren, thuhet në një komunikatë të saj të publikuar në faqen zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, shkruan Fol Drejt.
Ajo ka kujtuar zhvillimet e vjeshtës 2021 dhe korrikut 2022 dhe ka bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje, duke apeluar tek palët që të mbrojnë të arriturat e deritanishme.
Ziadeh bën thirrje të gjithë të përfshirëve që të ushtrojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe të marrin çdo masë paraprake për të shmangur një përkeqësim që mund të ketë pasoja të padëshiruara.
Ajo kërkon kthimin në bisedime për të ruajtur të arriturat e dialogut të lehtësuar nga BE. “Nuk ka alternativë ndaj dialogut për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të parandaluar keqkuptimet që mund të rrisin më tej tensionet,” shtoi ajo. /FolDrejt/