Ministria e Mbrojtjes ka raportuar mbi situatën e zjarreve në vend, duke theksuar se një pjesë e madhe e vatrave janë vënë nën kontroll, ndërsa situata është me problematike në majën e Rrunës, në Kukës, ku flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit.
“Pas një pune të palodhur dhe të pandërprerë të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të shërbimeve zjarrfikëse e pushtetit vendor janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera. Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Momentalisht nuk ka asnjë rrezik”, thuhet në njoftim.
Në Gjirokastër situata është stabilizuar, teksa mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik. Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri, ndërsa zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara, raporton A2, përcjell FolDrejt.com.