Të paktën 11 alpinistë kanë humbur jetën për shkak të shpërthimit të një vullkani në Indonezi, ndërsa autoritetet po punojnë për të gjetur 12 persona të zhdukur, raportojnë mediat lokale.
Indonezia filloi të dielën evakuimin e dhjetëra alpinistëve që ishin bllokuar pranë malit Merapi, një nga vullkanet më aktivë në botë në Sumatrën Perëndimore, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Shpërthimi ndodhi në orën 14:54 me kohën lokale (07:54 GMT) të dielën, duke nxjerr hi të nxehtë dhe mbeturina të tjera vullkanike në një lartësi prej tre kilometrash.
Sipas Kompas TV, 12 nga 35 alpinistë janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe janë shtruar në spital.
Njëmbëdhjetë të tjerë u shpallën të vdekur dhe trupat janë duke u sjellë nga mali, ndërsa kërkimet për 12 të tjerë janë ende duke vazhduar, njoftoi televizioni.
Që nga e diela janë regjistruar 45 shpërthime të vullkanit Merapi.
Lartësia e malit Merapi arrin në 2.891 metra dhe ndodhet në ishullin e Sumatrës, ku autoritetet prej kohësh kanë shpallur ndalesë për banorët dhe turistët të ecin brenda një rrezeje prej tre kilometrash nga krateri i tij.