Data 19 qershor është afati i fundit për deklarim të pasurisë. Nga gjithsejtë 4694 afro 700 zyrtarë të larë ende nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë së tyre.
Drejtori i kësaj Agjencie Shaip Havolli, i ftoi ata të dorëzojnë formularët deri në fund të ditës në të kundërtën mund të ketë sanksione penale.
Afati i rregullt i deklarimit të pasurisë ishte në muajin mars, por për shkak të situatës së pandemisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, ka shtyrë këtë afat deri me 19 qershor.
Drejtori i Agjencisë Shaip Havolli, tha se nga gjithsej 4694, kanë mbetur edhe rreth 700 zyrtar që nuk kanë deklaruar pasurinë.
“Janë rreth 700 zyrtar lartë që nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë. I ftojë publikisht që ta respektojnë këtë afat. Përndryshe mund të ketë sanksione penale për ata që nuk kanë arsyetime për mos deklarim të pasurisë me kohë”.
Havolli tha se pas deklarimit të pasurisë Agjencia Kundër Korrupsion, në bazë të shortit, do të fillojë edhe procesin e kontrollimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit.
“Nëse hasim që gjatë deklarimit zyrtarët e lartë nuk kanë paraqitur pasurinë reale,atëherë Agjencia Kundër Korrupsionit, ushtron kallëzim penal dhe e dërgon në prokurorinë përkatëse për veprime tjera hetimore”.
Vitin e kaluar janë raportuar 84 aktgjykime dënuese që lidhen me mosdeklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë ku zyrtaret e lartë janë dënuar me burgim dhe me gjobë tha Havolli.
Ai shtoi se këto dënime janë kryesisht të buta, mirëpo Agjencia Kundër Korrupsionit, nuk ka të drejtë t’i komentoj vendimet e gjykatave.