Sot janë bërë 31 vjet nga rrëzimi i përmendores së Enver Hoxhës në Tiranë. Kësisoj, 20 shkurti 1991 shënoi fundin e diktaturës në Shqipëri
Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë shqiptarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit, pasi që e kishte lejuar pluralizmin politik.
Rrëzimi i shtatores së Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. 20 Shkurti tani është caktuar si Dita e Kujtesës kombëtare për Martirët dhe Viktimat e regjimit komunist. Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri.
Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.
Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë. Edhe sot, mbi popullin shqiptar rëndojnë pasojat e tij negative.
Ata, që atë ditë të 20 shkurtit 1991 ishin në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte përdhe dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh, ashtu si ideologjia e indoktrinimit bosh, që regjimi komunist përhapi me terror për vite të tëra. Tashmë, e vërteta doli në dritë.
Për të mos harruar atë çka përjetuan shqiptarët gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, vite më parë, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, është hapur Pavijoni i Terrorit Komunist, ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit./FolDrejt/