Të paktën 38 persona kanë vdekur për shkak të kushteve të rënda të dimrit që kanë përfshirë SHBA-në për gati një javë.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik i SHBA-së njoftoi se moti me borë dhe ngrica, i cili ka paralizuar jetën në shtetet qendrore dhe jugore të vendit, sot dhe nesër do të jetë efektiv në rajonin verilindor përmes bregdetit të Atlantikut.
Të paktën 38 njerëz janë raportuar të vdekur deri më tani nga Oregoni në veriperëndim deri në Teksas në jug për shkak të motit të ftohtë dhe ngricave.
Në Teksas, ku dy deri në pesë milionë njerëz kanë përjetuar ndërprerje të energjisë në katër ditët e fundit, njoftohet se kjo shifër ka rënë nën një milion për herë të parë sot, ndërsa më shumë se 650 mijë shtëpi dhe biznese në këtë shtet janë ende pa energji elektrike.
Drejtuesja e Lartë e Departamentit të Energjisë Elektrike në Portland, Maria Pope, theksoi se temperaturat e ftohta ekstreme kanë shkaktuar dëmin më të madh në sistemin elektrik në 40 vitet e fundit.
“Këto kushte të motit janë më të rrezikshmet që kemi parë ndonjëherë”, tha ajo.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, paralajmëroi se shtypja ka rënë në gjithë shtetin pasi qytetarët kanë lënë çezmat të hapura për të parandaluar ngrirjen në gypat e ujit, duke kërkuar që çezmat të mbyllen.
Temperaturat e ftohta që vijnë nga Arktiku drejt rajoneve të brendshme dhe jugore të Shteteve të Bashkuara pritet të humbasin efektin nga kjo fundjavë.