Pushuesit janë shumë të shqetësuar se variantin i koronavirusit Delta, po rrezikon t’u prishë planet e tyre për pushime verore këtë vit.
Kjo është ajo çka po pohojnë shumica e ekspertëve në lidhje me variantin Delta, i identifikuar fillimisht në Indi, dhe që tani po përfshin të gjithë Britaninë e Madhe, duke rritur ndjeshëm nivelet e infeksionit që nga mesi i muajit maj, me rekordin prej 11.007 rastesh të enjten e javës së kaluar.
Në një vend ku 60 për qind e të rriturve kanë marrë të dyja dozat e vaksinave anti-Covid, dhe 80 për qind të paktën një dozë, tani varianti Delta përbën 99 për qind të infeksioneve. Kjo e ka detyruar qeverinë britanike të vonojë një rihapje të plotë në Angli, deri në mesin e muajit korrik.
Dhe tani po shtohet shqetësimi se varianti Delta po përhapet masivisht në Evropë. Vende si Gjermania, Belgjika dhe Irlanda po qëndrojnë vigjilente, dhe kanë futur në zbatim kritere më të rrepta për hyrjen e udhëtarëve nga Britania e Madhe, duke kërkuar karantinim dhe testime. Varianti Delta në Gjermani,përfaqëson tani 6 për qind të të gjitha rasteve. “Por kjo përqindje është në rritje”- paralajmëroi të premten e shkuar Lothar Wieler, president i Institutit Robert Koch në Gjermani.
Gjatë javëve të shkuara, Belgjika, si kudo tjetër në Evropë, e ka hapur sërish vendin. Baret dhe restorantet gumëzhijnë. Megjithatë, vendi nuk ka përjetuar një rritje të parashikuar të rasteve, vë në dukje Van Gucht. Normat e infektimit po bien, pavionet e kujdesit intensiv janë drejt zbrazjes, gjithashtu edhe vdekjet nga Covid-19 janë në rënie.
Spanja është ndër vendet ku britanikët mund futen shumë lehtë, pa asnjë kërkesë për karantinë apo testimin nga Covid-19. Vetëm ata që udhëtojnë direkt nga India duhet të rrinë 10 ditë në karantinë. Ndërkohë, njerëzit që vijnë nga vendet e tjera në rrezik, mund të hyjnë duke paraqitur provën e vaksinimit të plotë, rezultatin negativ të testit apo të imunitetit natyror.