Qëllimi kryesor i vendeve të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, tha sot Dritan Abazoviq, kryeministër i Qeverisë malazeze në mandat teknik dhe koordinator i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Këtë e tha Abazoviq në Budva, ku priti krerët e diplomacisë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Në takimin, i cili përfaqëson një nga ngjarjet finale në kuadër të presidencës së Malit të Zi të SEECP, morën pjesë, ndër të tjera, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Schwartz, shefat e diplomacisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Olta Xhaçka dhe Bujar Osmani, sekretarët e përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RC) dhe Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) Majlinda Bregu dhe Roberto Antonione./FolDrejt/