Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin, Hysen Durmishi, kanë publikuar një video ku flasin në lidhje me autostradën e Gjilanit dhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë.
Për këtë ata folën përmes videos së publikuar në profilin zyrtar të ministrit Aliu, në Facebook, përcjell Fol Drejt.
Postimi i plotë i Aliut:
Lajme të mira, dinamikë intensive
Zvogëlimi i borxheve të mëdha që kemi trashëguar dhe njashtu krijimi i bazës ligjore e planifikuese që mbron mjedisin dhe ekonominë kanë qenë në fokusin tonë deri tani.
Tash projektet e mëdha infrastrukturore po marrin dinamikë të re.
Bashkë me zv. Ministrin Durmishi jemi rrugës për Gjilan, ku do të vizitojmë punimet në autostradën e Gjilanit, teksa janë duke u bërë asfaltime në Lotin 8. Cilësia e punimeve dhe efikasiteti e shpejtësia në kryerjen e punës janë objektivi i vetëm që kemi.
Por kemi edhe një lajm të mirë, siç e keni parë, sot Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të madh të rrugës Prizren-Tetovë.
Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge.
Përkundër sfidave dhe telasheve të trashëguara, po angazhohemi maksimalisht që projektet të marrin drejtimin e duhur.
Shumë punë e projekte të mira na presin në vijim./FolDrejt/