Presidenti polak, Andrzej Duda, ka deklaruar se sabotimi i tubacioneve të Rrjedhës Veriore ishte një zhvillim pozitiv dhe pengoi dominimin e Rusisë.
“Nuk e di nëse është e mundur të thuhet se ishte një sabotim pro-ukrainas”, tha Duda për CNN-në në Abu Dhabi, duke komentuar raportet e fundit që sugjerojnë se një grup pro-ukrainas ishte përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit 2022 në tubacione e Rrjedhës Veriore që dërgonin gazin rus në Evropë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Por unë do të thoja… nëse Rrjedha Veriore pushon së ekzistuari dhe nuk është e mundur të transportohet gaz nga Rusia në këtë mënyrë, kjo do të jetë fitimprurëse për Evropën. Jam i sigurt se do të jetë i dobishëm për Evropën Perëndimore”, tha Duda.
Duda e arsyetoi tezën e tij duke theksuar se Rusia po përdor kompaninë operuese të Rrjedhës Veriore ‘Gazprom’ si një “instrument për të dominuar Evropën dhe për ta bërë atë të varur”.
Ai tha se shpreson të zbulohet se kush është përgjegjës për sulmin në tubacionet e Rrjedhës Veriore.
Rusia furnizoi rreth 40 për qind të gazit të Evropës para luftës së saj kundër Ukrainës që filloi në muajin shkurt të vitit të kaluar, por që atëherë ka shkurtuar flukset e gazit.
Lidhur me mbështetjen ushtarake për Kievin, presidenti polak tha se vendi i tij është i gatshëm të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë ‘MiG-29’.
“Polonia është e gatshme t’i sigurojë Ukrainës avionët e saj luftarakë ‘MiG-29’ si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar”, tha ai.
Presidenti polak tha se pret që forcat ukrainase të synojnë standardet e NATO-s në të ardhmen dhe të përdorin avionët ‘F-16’.
“Pra, trajnimi i pilotëve ukrainas është i rëndësishëm dhe urgjent”, tha ai.
Megjithatë, tha Duda më tej, Ukraina “për momentin ka nevojë për artileri me rreze të gjatë për ta shtyrë prapa armikun”. Ai argumentoi se Rusia në Ukrainë “duhet të dështojë për ta ruajtur paqen në botë”./FolDrejt/