Lugji Pirandello dhe Ernest Koliqi janë dy shkrimtarë, dy personalitete letrare, të cilët përveç që kanë ndasi e dallime mes vete, përsëri bashkohen dhe ngjasojnë. Përderisa dallojnë tek konkretja, përsëri përbashkohen tek universalja. Të dy autorët, ndër të tjera, të ngjashme e thuajse të njëjtë e kanë qasjen, stilin, motivet, personazhet dhe anën psikologjike të tyre, ndërgjegjen që i përcjellë ata gjatë gjithë kohës, psiken kolektive si trashëgimi dhe ndikim tek psika e individit, ndeshjen e të kaluarës me të tashmen e të ardhmen që vjen, si ndeshje mes të vjetrës dhe të resë. Si e tillë, përqasja mes këtyre dy autorëve është e qëllimshme dhe asgjë nuk i takon rastësisë. Madje, shumë studiues, ndër ta edhe Robert Elsie, kanë vërejtur ndikimin e madh të Koliqit që e ka pasur nga mësuesi i tij letrar, Luigi Pirandello.
Nga Ardit Mehmetaj
Para ngjasimit në aspektin letrar, ngjashmëri mund të gjejmë tek disa elemente biografike e familjare, të cilat më pas kanë mundur ta determinojnë deri në një shkallë të caktuar edhe krijimtarinë e tyre letrare. Janë disa fakte të cilat i paraprijnë ngjasimit të tyre në aspektin letrar, pasi që të dy autorët vijnë nga familje aristokrate, që merreshin me tregti dhe kishin pasuri të mjaftueshme, aq sa të dy autorët të kishin luksin që thuajse tërë kohën ta kalonin në lexim e studim. Elementi i dytë është koha dhe vendi. Të dy shkrimtarët i takojnë thuajse një epoke jetësore, ku mund edhe të jenë takuar mes vete pasi që të dy kanë jetuar e kanë vepruar në vendin e njëjtë, pra në Itali, përkatësisht në qytetin e Romës. Element tjetër, i cili mund të duket i rastësishëm dhe i parëndësishëm në shikim të parë, por që vlen të ceket, është edhe vuajtja dhe vështirësitë jetësore të të dy shkrimtarëve. Pirandello kishte probleme kronike me pagjumësinë dhe tërë jetën vuajti nga ajo, si dhe u martua me një grua të çmendur, e cila ia vështirësoi jetën edhe më tepër. Kurse, Koliqi ardhjen e sistemit komunist, largimin e tij dhe shpalljen ndaj tij si njeri i padëshiruar në Shqipëri, i përjetoi shumë keq. Jeta e tij ishte e mbushur me mall për vendlindjen, këto elemente të tij i gjejmë në poezi, tregime, drama e madje edhe në romanin e tij të vetëm Shija e bukës mrume, njësoj siç i gjejmë edhe tek Pirandello. Pra, jeta e tyre, duke përfshirë edhe vështirësitë, u pasqyrua edhe në letërsinë që e bën ata. Të dy studiuan letërsi, të dy e kishin të preferuar formën e prozës së shkurtër, konkretisht novelën e tregimin.
Koliqi i ndikuar nga Pirandello
Ndikimet, siç e dimë, mund të jenë të drejtpërdrejta ose të fshehura e të tërthorta. Mund të konstatojmë se Ernest Koliqi u ndikua nga Luigi Pirandello, por për mënyrën e ndikimit nuk mund të konstatojmë me sigurinë e njëjtë. Mund të supozojmë, të ngrisim hipoteza, por jo konstatime. Koliqi e ka njohur Pirandellon, e ka lexuar e stërlexuar, por përsëri nuk mund të themi se ai u ndikua direkt, qëllimshëm dhe me vetëdije të plotë nga ai. Nga leximi dhe pëlqimi që Koliqi pati ndaj Pirandellos, me gjasë ai i është ngulitur në subkoshiencën e tij. Njohjen e Ernest Koliqit me veprën e Pirandellos na e pohon edhe Robert Elsie në veprën e tij Historia e letërsisë shqiptare kur flet për veprën e tij të dytë me tregime Tregtar flamujsh “Tregtar flamujsh… paraqet tema të ngjashme me ato të përmbledhjes së parë. Rrëfimi në këtë vëllim me gjashtëmbëdhjetë tregime është më i fuqishëm, kurse depërtimi në psikologjinë e personazheve të kujton nganjëherë autorin sicilian Luixhi Pirandelo… me veprën e të cilit Koliqi pa dyshim ka qenë njohur.” Këtë, Koliqi e ka parë edhe si mision të tij, pasi sipas tij letërsia më parë ishte përdorur si mjet për ta krye nji mision patriotik, ndërsa ai mendon se ka ardhur koha që letërsia të mos jetë më mision i diçkaje tjetër, përveç i vetvetes, pra arti për artin, kështu ai themelon edhe revistën Shkëndija për këtë qëllim, ku dy nga tri pikat përqëndruese të kësaj reviste janë: “1). Gërmim i vijueshëm në shpirtin shqiptar të pa-rmuem; 2). Lartësim i instinkteve ma të shëndoshta të kombit;”. Tregimin e Koliqit thuajse të gjithë studiuesit e tij e kanë parë si tregim që depërton thellë në psikologjinë e individit shqiptar. Studiues si Anton Nikë Berisha, Sabri Hamiti, Stefan Çapaliku, Kujtim Rrahmani, Kujtim Shala, Aurel Plasari e të tjerë e pohojnë në studimet e tyre këtë. Madje, është Aurel Plasari që Koliqin e sheh në këtë aspekt si nxënës të Pirandellos “… do të na duhet të pranojmë drejtazi, se sa i përket tregimit psikospektiv, Koliqi është pikësëpari nxënës i Pirandelos”.
Ndikimet shpeshherë janë të thella, si të tilla janë të vështira për studiuesit, sidomos kur janë të fshehura, bëhen edhe të rrezikshme, pasi mund të ketë vetëm gabime e hamëndësime nga studiuesit, por ndikimi i Koliqit nga Pirandello nuk është aq i fshehur, sidomos kur i kemi parasysh edhe të dhënat biografike të të dy shkrimtarëve, që janë ndihmesë shtesë në trajtimin e kësaj tematike. Këtu është e qartë: Pirandello ndikon, Koliqi ndikohet. Kjo në asnjë formë nuk e zbeh krjimtarinë letrare të Ernest Koliqit, sidomos kur e kemi parasysh se ka autorë që thonë se çdo vepër është ndikim dhe në bazën e kësaj teze vetëm shkalla e ndikimit dallon. Nëse bazohemi në atë se çfarë thotë Paul Van Tieghem për ndikimin, atëherë ndikimi i Ernest Koliqit është ndikim teknik, i cili buron direkt nga vet vepra e Pirandellos dhe jo nga personaliteti i tij, aq sa nga arti i tij. Pra, për Koliqin autori s’është primar, primare është ajo që shkroi autori.
Jeta e gruas brenda ligjeve dhe shoqërinë e kohës
Autorët ngjarjet e tregimeve të tyre i zhvillojnë në topika të ndryshme. Pirandello i zhvillon ngjarjet në Sicili e në provincat përreth. Ndërsa, në anën tjetër, Koliqi vend të ngjarjeve e ka Shkodrën me malësi. Në të dy vendet kemi kodin zakonor që zbatohet si sistem dhe rregullues i jetës. Shkodra me malësi, ku lindi Koliqi dhe tërë tregimet e tij topikë e kishin atë vend, jetën e rregullonte në bazë të disa rregullave gojore që interpretoheshin nga pleqnarë të ndryshëm, e që përcilleshin brez pas brezi nga ta në mënyrë orale, derisa në shekujt e fundit ai u quajt “Kanuni i Lekë Dukagjinit” e që ka dy mendime për autorësinë e tij. I pari është se është quajtur kështu pasi ka lindur e është zbatuar në pjesën e Lezhës dhe Dukagjinit, kurse i dyti është se ky kanun është formuluar nga bashkëkohësi i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Lekë Dukagjini. Sidoqoftë me këtë kanun kanë ndërvepruar, janë lidhur martesat e janë zgjidhur problemet në Malësinë e Shkodrës dhe si i tillë “Kanuni i Lekë Dukagjinit” zbatohet edhe në shumë tregime të Ernest Koliqit. Përmes tij realizohen gjakmarrje, ndalohen e bëhen martesa të ndryshme, armiku pritet si mik në shtëpi e zgjidhen probleme të ndërlikuara. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” tek shqiptarët e Veriut del të jetë më i fuqishëm se ligji qeveritar, se teket e inatet personale dhe shpeshherë edhe më i fortë se ndikimi i klerit fetar. Viktima më e madhe e këtij kanuni padyshim ishte gruaja shqiptare e kohës.
Tek tregimi Se qofsh, pleqnofsh, sipas kanunit, nderin shtëpisë së Sufës ia cenon vajza e tij, pasi ajo ishte në lidhje dashurie pa dijeninë e miratimin e tij, turpi që ajo i kishte sjellur shtëpisë me ligjet e maleve mund të lahej vetëm me gjak “Zakoni i maleve âsht mâ i fortë se dashunija atnore…”, kështu Sufa për nderin e shtëpisë e vret bijën e tij. Pasi që e bën këtë vrasje, ai nuk gjykohet nga askush dhe nuk merret asnjë masë ndaj tij pasi sipas Kanunit prindi ka të drejt të veprojë çfarë të dojë mbi fëmijët e vet “Baba kà tager: a) mbi jetë e mbi gjallnim të të bijve, b) me rrahë, me lidhë, me burgosë a edhè me vrà të birin e të bin, kanuja s’i lypë arsye, edhè î a xên se vret vendin: “Kush vret vedin shkon gjak-hupës”, këtë rregull kanunore Suka e njifte mjaft mirë pasi pas vrasjes që kryen thotë “Këtu urdhnoj un: vras, pres, i a vê zjarmin kur të më teket, pa pasë kurrkush të drejtë, posë Perëndís, me futë turînin në punë të mija”.
Gruaja viktimë del edhe tek tregimi Ke tre lisat, ku ndalohet dashuria mes dy të rinjëve duke u bazuar pikërisht tek kanuni se fëmijët nuk kanë tagër të mendojnë për martesën e tyre.
Gruaja viktimë e kanunit del edhe në tregimin Diloca, ku trajtohet tema e dashurisë dhe vdekjes, ku e para bëhet shkak i të dytës e këtë më së miri na e paraqet Koliqi “(…ndër male t’ona, dashunija e deka janë sinonime”. Këtu Diloca është fejuar sa ishte në djep me Vuksan Gjelin, fejesë kjo që ishte zakon në malësi të Shqipërisë. Vajza sipas Kanunit nuk mund të shkurorëzohet për asnjë arsye nga burri, “Vajza nen unazë nuk ka tager me lshue djalin”, kështu Dilocës i mbetet vetëm një zgjidhje: të largohet me të dashurin e ta lë të fejuarin duke mos e përfillur Kanunin. Veprimi i saj bëhet shkak i shumë vrasjeve pastaj “Vrasjet për shkak të saj kanë vazhdue e vazhdojnë gjithnji. Vllaznit e Mark Lulashit i a kanë marrë gjakun vllaut. Deri tash tre veta janë vrá prej të dy palve”, të gjitha këto vrasje ndodhin pasi Vuskan Gjelit ia merr të fejuarën Mark Lulashi, i cili e thyen rregullin e Kanunit “Gruja e vajza e grabitme, e jasht-zakonshme kah Feja e kanuja” dhe kësisoji e çnderon Vuksan Gjelin “Ndera i mirret burrit:… d) Me i a dhûnue gruen a me i a hikun”dhe ai që e çnderonte burrin, këtë veprim e paguante me jetën e tij sipas Kanunit “Ndera e mârrun s’falet kurr”, kështu veprimet e Vuksan Gjelit janë legjitime sipas Kanunit, ndërsa dashuria mes Dilocës dhe Mark Lulashit është dashuri që s’lejohet. Në këtë tregim kemi gruan, pra Dilocën, viktimë të ligjit gojor të kohës.
Kodi zakonor del të jetë i pranishëm edhe në tregimet e Luigi Pirandellos, kjo shfaqet në shumë tregime të tij, p.sh në tregimin Udhëtimi del në pah ndikimi i rregullave zakonore, atëherë kur Adriana Braxhit i vdesë burri “Nga ajo ndryrje e saj nuk habitej askush në atë qytet të Sicilisë së thellë, ku zakonet e ngurta gati – gati sa s’e detyronin gruan ta ndiqte në varr të shoqin. Gratë e veja duhej të kridheshin kështu në një zi të pasosur, deri në vdekje”, pra me vdekjen e burrit të saj, kushtimisht ka vdekur edhe ajo vet. Pas vdekjes së burrit ajo mbetet vetëm me kunatin e saj, nënën dhe fëmijët në shtëpi. Nëna i ndërron jetë, fëmijët i rriten, kurse kunati i saj nuk martohet pasi kodet zakonore të vendit nuk e lejojnë këtë “Ngaqë aty vazhdonte të ishte zakon që, nga të gjithë fëmijët meshkuj të një shtëpie, vetëm një, më i madhi, duhej të martohej, në mënyrë që kamja e shtëpisë të mos shpërndahej midis shumë trashëgimtarëve”, pra ky është rregulli që e ndalon dashurinë e tyre. Ata udhëtojnë bashkë, dashurohen dhe fshehurazi e realizojnë dashurinë e tyre të vetëdijshëm se dashuria e tyre në atë vend ishte e ndaluar “… në qytetin me zakone të ngurta, për të cilin ajo dashuri e tyre, apo martesa e tyre nesër, do të dukeshin si një mëkat i padëgjuar ndonjëherë”. Në fund Adriana Braxhi kryen vetëvrasje, e nxitur nga rregullat zakonore të vendit. Kështu, njësoj si tek Koliqi, gruaja viktimë e këtyre rregullave del të jetë edhe në veprën e Pirandellos. Diloca dhe Adriana janë vetëm dy nga shumë personazhet e këtyre dy autorëve të cilët e prezantojnë viktimizimin që rrjedh nga ligjet dhe shoqëria e kohës.
Tek po i njëjti tregim, shfaqet edhe relacioni i gruas dhe i burrit, si dhe autoriteti i këtij të fundit që buron pikërisht nga kodet e tilla zakonore e tradicionale. Është momenti kur Adriana i bindet një dëshire të kunatit të saj, megjithë mospajtimet e saj që i ka “Atëherë ajo nuk mundi ta kundërshtonte më: pa në vetvete gruan e anëve të saj, që nuk duhet ta kundërshtojë kurrë atë që burri e gjykon të drejtë dhe me vend”.
Viktimë e këtij kodi del të jetë edhe Didia tek tregimi Fustani i gjatë. Atë, qysh në adoleshencë, babai i saj dhe i vëllai e detyrojnë të martohet me një njëri aristokrat, që përveç pasurisë, kishte edhe autoritet në atë vend. Ai ishte shumë më i vjetër në moshë se ajo. Kishte mbi dyfishin e moshës së saj, por kjo nuk e ndalon babain e saj që për interesa të tij ta martojë atë “E, pra, ky ishte plani i të atit: t’ia dilte të lidhte dy martesa; t’i jepte Didisë markezin Andrea dhe Kokosë – Agatën”. Kjo martesë e detyrueshme e dërgon Didinë deri në vetëvrasje. Vdekja bëhet zgjidhje e personazheve grua si tek Koliqi (Tregimi: Se qofsh, pleqnofsh), ashtu edhe tek Pirandello (Tregimi: Fustani i gjatë)
Gruaja, në të dy veprat e këtyre autorëve, del të jetë viktimë brenda shoqërisë së kohës, e cila diktohet direkt nga kodet zakonore që tradicionalisht janë përcjellur gojorisht me shumë pak ndryshime nëpërmjet gjeneratave.
Nostalgjia, kujtimet dhe përmbushja shpirtërore e personazheve
Personazhet e të dy autorëve janë personazhe nostalgjike, herë – herë melankolike, të cilët përveç realitetit, jetojnë edhe me kujtime e që përmbushjen shpirtërore e lidhin me gjëra shpeshherë që i takojnë pikërisht të kaluarës. Koliqi në disa prej tregimeve të tij e shfaq këtë. Tek tregimi E gjeti mbas shimshirit kemi Vik Gjinaziun protagonist, një personazh nostalgjik e që rron prej kujtimeve, e gjen dashurinë e tij aty ku e kishte në fëmijëri: mbas shimshirit. Lidhshmëria ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së pjekur e përbëjnë këtë tregim. Të dy personazhet kthehen në të kaluarën për ta siguruar dashurinë e së ardhmës. Ata kujtojnë lojërat e përbashkëta ku Vik Gjinaziu s’mund ta gjente Gjenarinën pasi ajo fshihej. Njëjtë edhe tani s’mund ta gjente edhe pse ajo s’fshihej. Vikut megjithëse i ishin folur tri vajza, ky përsëri kthehet tek shoqja e fëmijërisë të cilën e kishte harruar dhe tek ajo e gjen dashurinë e jetës. Kthehet në të kaluarën, për ta rigjetur lumturinë. Tek tregimi Duert e nânës kemi një personazh mërgimtar, i cili larg familjes, në ditën që ka temperaturë e sëmuret pakëz, ka nostalgji për duart e nënës. Në tregimin tjetër me titull Kumbulla përtej murit, kemi protagonist Lec Gurrmollën. Ai ka nevojë ta rijetojë fëmijërinë, kështu që kujtimet e largëta të fëmijërisë i bën të pranishme edhe kur tashmë veçse ishte i rritur. Ndiesitë e dikurshme, thuajse të harruara ringjallen kur ai shkon në vendin ku kaloi pjesën më të mirë të fëmijërisë, ai përmes veprimeve të njëjta në vendin e njëjtë e ringjalli të kaluarën dhe e rijetoi përsëri.
Edhe nobelisti italian ka disa tregime ku kjo ndjenjë e brendshme, nostalgjia për të kaluarën shfaqet, malli e mbyt personazhin e tij, kurse rijetimi i kujtimeve i gjallëron ata. Rast të tillë kemi në tregimin Drita e shtëpisë tjetër, e cila në shqip vjen në librin Jeta lakuriq e tregime të tjera. Aty protagonist është Tulio Buti, një personazh i çuditshëm, i cili jeton në një dhomë të vetme, të errësuar, pa ajër e të vështirë për t’u jetuar. Aty një dritë e shtëpisë tjetër i futet në dhomën e tij duke e gjallëruar Tulio Butin, pasi ai sheh një jetë të huaj, e rijeton jetën që e kishte dikur, kur e sheh një familje të huaj, e ndjen veten të ribashkuar me familjen e tij. “Ndenji në copë herë duke soditur atë ndriçim, si të qenkësh një mrekulli. Dhe një ankth i fortë sikur e shtrëngoi në fyt kur vuri re me ç’ledhatim ulej ajo dritë mbi shtratin e tij, faqes së mureve, mbi duart e tij të zbehta mbështetur në tryezë. Ky ankth i ngjalli kujtimin e fëminisë së ndrydhur, kujtimin e nënës”. Kështu, ky tregim, shikuar nga ky prizëm, është shumë i ngjashëm me tregimin e Koliqit Duert e nânës pasi personazhi ka nevojë për nënën e tij që nuk e ka pranë dhe e sheh atë në secilën situatë që është. Lidhja me nënën e Tulio Butit është po aq e fuqishme sa lidhja e personazhit mërgimtar të Koliqit. Tulio Buti qëndron duke pritur me ankth të papërmbajtur ngrohtësinë e ëmbël e të dashur të asaj vatre familjare që shijonin të tjerët, që kish shijuar edhe ai në vogëli, ndonjëherë më të rrallë, ndonjë mbrëmje të qetë kur nëna… nëna e tij… si kjo nënë…
Tematikat dhe stili
Tematikat padyshim që tek të dy autorët ngjasojnë. Kemi krizat ekzistenciale tek personazhet, luftën e personazheve që gjendet mes të resë që vjen dhe të vjetrës zakonore. E vjetra tek personazhet e reja del si pengesë, kurse të vjetrit e shohin si kod që duhet zbatur patjetër. Ndjenja e brendshme e personazhit bëhet preokupim letrar i të dy autorëve. Ata gërmojnë thellë në personazhet e tyre, duke i vënë në pah komplekset e tyre, personalitetin, kënaqësitë e mungesat që kanë ata.
Gjithashtu, narratori thuajse gjithnjë është narrator që rrëfen në veten e tretë me një stil të rrjedhshëm. Në rrëfim, shpesh për ta bërë më dramatike ngjarjen, narratori bën pyetje retorike. Tek Pirandello për shembull në tregimin Drita e shtëpisë tjetër “Çfarë donte? Dhoma, dhoma e vogël, ku pat banuar vetë, e lirë ish? Nuk e donte për vete, nuk e donte për të banuar. E donte për të ndenjur vetëm një orë, një çast të paktën, të rrinte fshehur mbëmjeve!”, kurse tek Koliqi i njëjti rrëfim na shfaqet shumë herë me të tilla pyetje retorike që i bën vet narratori që është rrëfimtar në veten e tretë “Kush mund t’i pritte pëshpëritjet e gojve të këqija të malit?… Si? Minja? Loçka e zemrës së tij?… Si mund t’u kthente nderi në vend? Si mund t’u shlyente njolla e turpshme q’i ish vu mbarë fisit?”.
Qëllimi i Ernest Koliqit
Ernest Koliqi e njihte mirë letërsinë shqipe, madje ai kishte tentuar ta shkruaj edhe një histori të letërsisë shqipe, të cilën veçse e kishte nisur me disa nga veprat e tij si Dy shkollat letrare shkodrane, Tre poetët ma të mëdhaj të Shqipnisë e vepra të tjera, por që nuk e arriti qëllimin deri në fund. Pra, mbeti punë vetëm në gjysmë, thënë shkurt tentativë. Do të thotë, ai ishte në rrjedha se çfarë ishte shkruar deri në kohën e tij, pra çfarë kishte dhe çfarë s’kishte në letërsinë tonë shqipe. Madje, në një shkrim të tij të botuar në “Demokratin” e Vangjel Koçës dhe të Branko Merxhanit, i cili u ribotua tek revista “Shejzat” me titullin Tue bisedue me Prof. Joklin, ai thotë “Unë e falënderova me të thekun zëmre për çmim të mirë qi ai u epte përpjekjeve të mija letrare shum të përvujta, të cilat, i thaçë, janë tentative, sepse Shqipnija, vend me motive të panjehuna për rromanxa e novela, nuk e kishte ende tregimtarin e deshiruem, atë qi të paraqesi në pasqyrën e nji arti të thjeshtë e të thellë, jetën arkaike, anakronistike ku fillojnë m’u dridhun deshiret edhe nevojat e modernitetit ma të stërholluem”.Këtu, Ernest Koliqi, e tregon mungesën e një tregimtari të mirëfilltë të letërsisë shqipe dhe është ai që dëshiron dhe pastaj koha e dëshmon se bëhet i pari i tillë, bashkë me Kutelin. Ai bëhet i pari që arrin me krijue situata shoqnore, familjare, individuale, të rralla e të çmeritëshme qi përmbajnë në vete kontraste dramatike me nji interesë të naltë njerzore. Ai i vetëdijshëm për këtë mungesë dhe i vetëdijshëm për ndikimin e tij nga ambienti ku jetoi, veproi e u shkollua, pra Italia, i futet punës dhe e plotëson këtë mungesë të letërsisë shqipe. Në këtë sens, autori përveç që bën art për artin, krijimtaria e tij është edhe mision për pasurimin e letërsisë shqipe dhe përplotësimin e saj. Ndër shumë autorë, kryesisht italianë, më së shumti autori u ndikua, them me shumë rezervë qëllimshëm, nga Pirandello. Ky ndikim është gjithmonë edhe përshtatje e hapësirës, ambientit jetësor dhe padyshim kohës. Pirandello shkruan në Itali, kryesisht në Sicili, kurse Koliqi në Shqipëri, kryesisht në Shkodër. Kjo në sensin se dy autorët mendësinë e personazheve dhe ngjarjeve ia përshtatin topikave, i pari Sicilisë, i dyti Shkodrës. Pirandello depërton thellë në psiken e italianëve të kohës dhe ashtu e ndërton psikologjinë e personazheve të tij. Njësoj vepron edhe Koliqi, duke depërtuar thellë në psiken e shoqërisë shqiptare dhe ashtu e ndërton psikologjinë e personazheve të tij, sidomos tek vepra e parë me tregime Hija e maleve, ku ambienti është më rural dhe personazhet janë më kanunore, në sensin më tradicionale e që e ndjekin zakonin.
Përfundim
Studimet krahasimtare, kur dëshirojmë të shikojmë ndikimin që shkrimtarët e kanë pasur tek autorët e tjerë pasardhës, bartin me vete rrezikun se studiuesi mund vetëm të hamendësojë. Jo, çdo ngjashmëri është ndikim, qoftë kjo edhe ngjashmëri tepër e madhe. Mund ta marrim shembull pikërisht Koliqin, tregimet e të cilit trajtojnë tema që janë trajtuar edhe më herët nga autorë tjerë të mëdhenj si Shekspiri, Dostojevski e të tjerë. Shembull, tregimi Ke tre lisat është shumë i ngjashëm me dramën e Shekspirit Romeo e Zhulieta pasi njësoj si tek tragjedia Uilliam Shekspirit ku dy të rinjtë e dy fiseve armiqësore dashurohen mes vete (Romeo i Mongtageve dhe Zhulieta e Kapuleteve), ngjarje të tillë kemi edhe tek Koliqi, pra dashurinë e dy të rinjëve që fiset e tyre janë në armiqësi njëra me tjetrën. Tek Shekspiri kemi dashurinë e Romeos me Zhulietën, Tek Koliqi kemi dashurinë e Gacit me Mrikën. Në të dy rastet dashuria është dashuri e ndaluar. Në të dy rastet shkak i ndalimit të dashurisë është armiqësia familjare. Tregimi tjetër i Koliqit është Rrokoll, i cili ka ngjashmëri të madhe me një pjesë të kryeveprës Krim dhe ndëshkim të Fjodor Dostojevskit. Së pari përshkrimi psikologjik i dy personazheve, Ndrekë Batuçi tek Koliqi e Marmelladovi tek Dostojevski, është shumë i madh dhe shkon deri në detaje. Si Marmelladovi ashtu edhe Ndrekë Batuçi janë të lodhur nga jeta dhe të thyer përbrenda. Të dy janë pijanec. Të dy harxhojnë pagat e tyre të vogla në pijetore. Të dy kanë në shtëpi gruan dhe vajzën që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Kushtet e rënda financiare i detyrojnë vajzat e tyre, përkatësisht Silen, vajzën e Ndrekë Batuçit të bëhet prostitutë, njëjtë sikur Sonjen, vajzën e Marmelladovit. Nëpërmjet prostitucionit ato bëjnë para për të paguar qiranë për familjen e tyre dhe sigurojnë bukën e gojës për ta. Por, me gjithë këtë përngjasim kaq të madh, nuk mund të themi se Ernest Koliqi u ndikua nga Uilliam Shekspiri dhe Fjodor Dostojevski. Edhe pse nuk kemi të dhëna që Ernest Koliqi i ka lexuar këta dy autorë, mund të supozojmë që i ka lexuar përderisa të dy janë ndër autorët më të mirë dhe më të famshëm të historisë botërore të letërsisë. Nëse themi se është ndikuar duke u nisur vetëm nga ky fakt atëherë s’bëjmë gjë tjetër përveç hamëndësimit. Por, kur themi që Koliqi është ndikuar nga Pirandello atëherë s’mund të quhet vetëm hamendësim. Sepse s’është vetëm një element prej të cilit nisemi, por janë disa elemente që kur krijojnë tërësinë bindin se autori shqiptar është ndikuar nga autori italian. Së pari e kemi elementin biografik. Vendin e njëjtë ku kanë jetuar e studimet e njëjta që i kanë kryer. Në kohën kur Koliqi filloi të shkruante, Pirandello ishte në kulmin e suksesit dhe famës. Pikërisht në atë kohë e fitoi edhe Çmimin Nobel për Letërsi. Dhe siç ndodh rëndom, në të tilla raste shkrimtarët e rinj gëzojnë një respekt dhe admirim për të tillë shkrimtarë të suksesshëm. Temat që trajtojnë, stili me të cilin shkruajnë, depërtimi i thellë psikologjik e elemente të tjera dërgojnë deri në përfundimin se ndikimi i Koliqit nga Pirandello është i pranishëm dhe me një studim krahasimtar edhe i faktueshëm. Shto këtu faktin se Koliqi i dinte mungesat që kishte letërsia shqipe. Për këtë arsye, ai e ka mësues letrar Pirandellon, mëson nga ai dhe i përmbush mungesat në letërsinë tonë./FolDrejt/